Politika Meta paralajmëroi shpërndarjen e Parlamentit, Balla: Presidenti “i vjen anash” Kuvendit

Meta paralajmëroi shpërndarjen e Parlamentit, Balla: Presidenti “i vjen anash” Kuvendit

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi këtë të mërkurë se Presidenti Ilir Meta është në hetim nga një komision hetimor parlamentar dhe fakti që ka deklaruar se do të shkarkojë parlamentin është qesharake.

Balla tha se “Presidenti i vjen anash Kuvendit” nëse kreu i shtetit do ta shpërndajë atë.

“Presidenti në gjuhë popullore i vjen anash Kuvendit në kuptimin e së drejtës kushtetuese për të shpërndarë Kuvendin. Presidenti duhet të kuptojë qartë që është në hetim nga Kuvendi përsa i përket shkeljeve të njëpasnjëshme kushtetuese. Mos ia zini veshët kot dhe mos jepni më arsye për diskutim në tryezat e shtëpive të shqiptarëve me historinë që Presidenti pas 15 Marsit do shpërndajë parlamentin se kjo është qesharake. Kjo nuk duhet marrë fare në konsideratë”, tha Balla.

Pas paralajmërimit të kreut të shtetit se do ta firmosë në Kuvend dekretin për shpërndarjen e tij, Balla tha se Kushtetuta i ka përcaktuar rastet kur presidenti i drejtohet Kuvendit. Sipas tij, Kuvendi mund ta shkarkojë Presidentin, por jo ky i fundit Kuvendin.

“Kushtetuta e ka të përcaktuar rastin kur kreu i shtetit mund t’i drejtohet Kuvendit. Diskutohet me pathos në lloj-lloj rruge se njëri që fryhet dhe do dali e do shpërndajë parlamentin. Republika e Shqipërisë është Republikë e pastër parlamentare dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta i zgjedhur nga Kuvendi e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës së Presidentit për të pasur këtë lloj qasje në marrëdhënie me Kuvendin. Kuvendi e shkarkon Presidentin dhe procesi i shkarkimit certifikohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Balla.

Balla tha se dekreti që firmosi Presidenti Meta për rikthimin për rishqyrtim të ligjit për betimin e anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, do të shqyrtohet nga deputetët.

“Të mos jetë përfshirë gjuha e rrugës, por të ketë argumente që të merren për shqyrtim nga deputetët dhe më pas deputetët ë seancë plenare të shprehen me votë. Unë dua të bashkëndaj me ju qëndrimin që jam i bindur që ato ndryshime të kryera nga Kuvendi i Shqipërisë me një shumicë të cilësuar votash janë ndryshime që përmbajnë mekanizma të domosdoshëm zhbllokues në raste kur zyra të caktuara të shtetit uzurpohen nga persona që risjellin histori të vjetra të bllokimit të emërtesave në institucionet e reja të drejtësisë. Unë nuk përgjigjem me emocione, unë përgjigjem me respekt dhe drejtësi përkundrejt qasjes që duhet të bëjmë kundrejt Kushtetutës. E garantoj Presidentin që do ta shqyrtojmë dekretin dhe shpresoj që të gjejmë në to argumente që të merren në konsideratë”, tha Balla.