Politika Meta: Për Monikën e humba interesin qëkur nxorën njerëzit në rrugë

Meta: Për Monikën e humba interesin qëkur nxorën njerëzit në rrugë

Pasditen e 2 Marsit, Presidenti Ilir Meta ka ftuar qytetarët në një manifestim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

I ftuar sonte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit u shpreh se nëse ka ardhur koha për revolucion, atëherë kjo do të ndodhë.

Presidenti thotë se nëse nuk funksionojnë institucionet dhe SPAK atëherë do të ketë revolucion.

Ilir Meta: Në qoftë se ka ardhur koha për revolucion, revolucion. Në qoftë se nuk funksionojnë institucionet, në qoftë se nuk funksionon SPAK-u, revolucion do vejë kjo punë.

Blendi Fevziu: Çfarë revolucioni?

Ilir Meta: Revolucion zbatimin e ligjit! Revolucion zbatimin e Kushtetutës!

“Për Monikën e humba interesin qëkur nxorën njerëzit në rrugë”

Qëkur bashkëshortja e tij, njëherësh kryetarja e LSI-së, vendosi të digjte mandatet, Presidenti Meta shprehet se ka humbur interesin për Monika Kryemadhin. I pyetur nga Blendi Fevziu se, “me kë do të bëjë koalicion Monika Kyrmadhi në zgjedhjet e 2021-shit?”, Meta u përgjigj:

“Zero interes. Veçanërisht për Monikën, e humba interesin qëkur nxorën njerëzit në rrugë. Mesazhin që i nisa Monikës dhe Vasilit do t’ia tregoj shqiptarëve”.

“Më 2 Mars fillon pranvera kuqezi”

Sipas kreut të shtetit, Ilir Meta, pushtimi i Gjykatës Kushtetuese është përmbysje e bashkëjetesës demokratike dhe paqësore të gjithë popullit shqiptar.

Gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte, teksa ishte i ftuar për të folur rreth manifestimit të 2 Marsit, ai tha se të hënën fillon pranvera kuqezi.

Ilir Meta: Presidenti në varësi me përkrahjen e popullit, në varësi me zërin e tij se do që ta dëgjojë, në varësi me zhvillimet e tij në të ardhmen, presidenti do të përshkallëzojë veprimet e tij. Më 2 Mars fillon pranvera kuqezi, nuk mbaron.

Blendi Fevziu: Me këtë kuqezi kanë dështuar shumë para jush.

Ilir Meta: Unë ja ku e kam. E kam me këtë. Me këtë nuk dështoj unë. (I drejtohet Kushtetutës).