Politika Meta: Përkeqësim drastik, numri i nxënësve që kanë mbaruar shkolla të larta...

Meta: Përkeqësim drastik, numri i nxënësve që kanë mbaruar shkolla të larta ka rënë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbajti këtë të shtunë një tryezë për arsimin parauniversitar. Në fjalën e mbajtur, Meta tha se ka një përkeqësim të shifrave për sa i përket, numrit të nxënësve që kanë mbaruar shkolla të mesme dhe të larta.

Kreu i PL nënvizoi se kjo shifër ka rënë nga 74% që ishte në vitin 2010 në 55% në vitin 2021.

“Arsimi nuk është thjesht një profesion. Dhe të jesh arsimtar nuk është thjesht se ke një profesion. Arsimi është mision. Të jesh arsimtar do të thotë të jesh misionar. Edhe mision pa pasion nuk ka. Mirëpo ne kemi vënë re se vlerësimi ligjor, vlerësimi kushtetues në një plan më të gjerë, vlerësimi moral, vlerësimi financiar, mbështetja logjistike për të shndërruar mësimdhënien në kushtet që meriton Shqipëria 2023 dhe që meritojnë fëmijët tanë janë në gjendjen më katastrofike të mundshme. Unë besoj se do të evidentohen edhe nga ju këtu. Unë kam folur vazhdimisht për problemet më të rënda të arsimit dhe në 7 Mars duke uruar mësuesit, edukatorët, pedagogët nuk dëshiroja të merresha me shumë probleme të arsimit, sepse është një ditë feste, urimi dhe lulesh, siç është tradita e festave të tilla, por zgjodha vetëm një indikator shumë domethënës, i cili na krahason Shqipërinë e vitit 2021 me atë të vitit 2010. Na krahason njëkohësisht edhe vendet e rajonit me Shqipërinë për të njëjtën periudhë. Përsa i takon numrit të nxënëseve  që kanë mbaruar shkollat e mesme dhe të larta ka një përkeqësim drastik, nga 74% që ka qenë në 2010 në 55% në vitin 2021, që ishte statistika e fundit zyrtare. Pra mund ta dalloni shumë qartë çfarë tendence përkeqësuese është, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit e kishin mbi 90% dhe të gjitha ishin me përmirësim që nga viti 2010. Këtu I keni të gjitha tek ky tregues se çfarë bëjmë ne për arsimin, për cilësinë e tij, se ç’bëjme ne për arsimtarët, se ç’bëjmë ne për pedagogët dhe se ç’bëjmë ne për të rinjtë dhe për fëmijët, që të mos lënë shkollat dhe të ikin në emigracion, sepse shumë familje nuk i mbajnë dot me këto çmime që janë rritur, me këto paga që kanë mbetur në vend dhe me këto kosto të jashtëzakonshme të jetesës. Nuk i mbajnë dot fëmijët në shkolla, nuk i suportojnë dot. Ndaj studentët kërkojnë të paktën 100 euro në muaj siç i mbështet qeveria e Kosovës prej kohësh. Ndaj pedagogët kërkojnë që pas dy vjetësh të kenë të paktën pagat e kolegëve të tyre në Kosovë. Dhe shumë aspekte të tjera. Dhe kjo nuk është rastësi”, tha Meta.