Politika Meta pret ekipin e ekspertëve: Mirënjohje për ndihmën e Izraelit në përballimin...

Meta pret ekipin e ekspertëve: Mirënjohje për ndihmën e Izraelit në përballimin e situatës së tërmetit

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ekipin e ekspertëve izraelitë që erdhën në ndihmë për vlerësimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.

Meta shprehu miërnjohjen e thellë ndaj ekspertëve ushtarakë nga Izraeli, për kontributin e tyre me ekspertizë në këtë drejtim.

“I nderuar të prisja sot ekipin izraelit që i erdhi në ndihmë qytetarëve tanë duke vlerësuar dhe këshilluar për shtëpitë dhe ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti. Thellësisht mirënjohës Izraelit dhe ekspertëve të tij ushtarakë! Shalom”, tha Presidenti Meta.

Izraeli ishte një prej vendeve që u solidarizua menjëherë me Shqipërinë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

Fillimisht në Shqipëri mbërriti ekipi izraelit që u angazhua në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të vijuar më pas me ekipin e eskpertëve për vlerësimin e dëmeve në ndërtesa.

Misioni special i ndihmës izraelite përbëhet nga 10 oficerë dhe inxhinierë të cilët u angazhuan në studimin e ndërtesave të dëmtuara. Misioni drejtohet nga komandanti i Brigadës Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit, Kolonel (Res.) Golan Wach.