Politika Meta pritet nga Kryeministri i Japonisë: Të hiqen vizat me Shqipërinë

Meta pritet nga Kryeministri i Japonisë: Të hiqen vizat me Shqipërinë

Gjatë vizitës së tij në Tokio, Presidenti Meta është pritur në një takim edhe nga Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Presidenca bën të ditur se Meta kërkoi që bashkëpunimi i deritanishëm me Japoninë të thellohet më tej në të gjitha fushat, në veçanti në realizimin e investimeve të reja japoneze në Shqipëri. “Japonia është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta duke vlerësuar rritjen e interesit të turistëve japonezë për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e heqjes së vizave nga Japonia për të gjithë qytetarët shqiptarë, sa më shpejt, që të rriten më tej shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve.

Kryeministri Abe premtoi se do ta konsiderojë këtë kërkesë të Presidentit Meta. Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe asistencën financiare dhe teknike të dhënë nga Japonia nëpërmjet Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA). “Nisma e Kryeministrit japonez Abe për Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme sepse i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit tonë”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.