Politika Meta publikon mesazhet e diplomatit të huaj: Ja si punojnë ndërkombëtarët

Meta publikon mesazhet e diplomatit të huaj: Ja si punojnë ndërkombëtarët

“Një qëndrim skandaloz, i turpshëm, antikushtetues, tërësisht politik dhe në shërbim të Edi Ramës”

Presidenti Ilir Meta publikoi mbrëmjen e së hënës në “Opinion” një mesazh që i kishte dërguar zyrës së tij një diplomat i huaj.

Sipas tij, mesazhi diplomatit tregon një qëndrim skandaloz, të turpshëm dhe antikushtetues.

Presidenti i Republikës tha se ndërkombëtarët tashmë janë të pafuqishëm përballë Ramës.

Blendi Fevziu: Çfarë është kjo se duket si mesazh privat?

Ilir Meta: Jo nuk është privat. Ky mesazhi këtu është për të kuptuar se si punojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë me Reformën në Drejtësi. Ky është një diplomat, një njeri shumë korrekt që ka qenë në atë takim. Nuk e ka nisur në emrin e tij, e ka nisur në emrin e ambasadës së SHBA-ve dhe BE-së. ‘Mirëmëngjesi Beni’, thotë ditën tjetër ai, në darkë ishin në pritje dhe nuk i kishin të qarta si e tek. ‘Takova, thotë, kolegët e mi amerikanë dhe të BE-së këtë mëngjes, folëm me Ramën në telefon, dhe zyrat ligjore të këtyre të dyjave, (SHBA-BE), nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin’, gjë të cilën nuk ma thanë mua ata në darkë. ‘Dhe ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues. Dhe ata do të dalin sot publikisht, edhe kemi rënë dakord që ta themi para’, që të mos i bjerë të fikët Presidentit, kur të dalin ata të mos i bjerë të fikët. Tani shikoje, ‘Rama, thonë ata, megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e Presidentit për tjetrën, që do të bëhet shumë shpejt. Dhe Rama do të përpiqet të mos bllokojë këtë’. Pra është Rama që i bllokon, nuk është KED-ja që i filtron kandidatët. Tani më thuaj mua ti, morën një përgjigje që besoj e ka transmetuar. Ky është mesazhi i një diplomati që ishte në takim në darkë, që është shumë korrekt, që s’ka asnjë përgjegjësi, sepse ia kanë kërkuar përcille ti këtë mesazh, por aty është qëndrimi i tyre, një qëndrim skandaloz, i turpshëm, antikushtetues, tërësisht politik dhe tërësisht në shërbim të Edi Ramës. Nuk ka lidhje Amerika, janë lojëra që bëjnë ekspertë këtu që bëjnë lojën e Edi Ramës. Prandaj jemi këtu ku jemi.