Politika Meta: “Rilindja” vendosi mur për integrimin europian, do ta rrëzojnë qytetarët më...

Meta: “Rilindja” vendosi mur për integrimin europian, do ta rrëzojnë qytetarët më 25 prill

Presidenti Ilir Meta thotë një ditë pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor se ky akt ishte shkatërrim brutal i marrëveshjes së 5 Qershorit. Si i tillë, për Metën, “Rilindja” u vetëdemaskua si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave.

Meta paralajmëron qeverinë dhe thotë se populli do të jetë në lartësinë që kërkon ky moment historik pasi ditën e djeshme është vendosur një mur në rrugën e integrimit europian. Kreu i shtetit thotë se muri do të shembet më 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme.

“Shkatërrimi brutal i Marrëveshjes së 5 Qershorit ishte vetëdemaskimi i “Rilindjes” si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave. Populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon ky moment historik për rrëzimin e murit kriminal të “Rilindjes” që është vendosur nga dje në rrugën e integrimit europian. Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme”, shkruan Meta.

Ditën e djeshme Kuvendi miratoi me 97 vota pro Kodin e ri Zgjedhor. Meta ka paralajmëruar se do të tregojë të gjithë emrat e deputetëve që votuan pro ndryshimeve pasi sipas tij janë antikushtetuese dhe pengojnë integrimin e vendit.