Sport Meta takon Dukën: T’i rikthehemi jetës sportive

Meta takon Dukën: T’i rikthehemi jetës sportive

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Pas takimit, Kreu i Shtetit shkruan në “Facebook” se ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend.

“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka, i cili më njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur.

Besoj se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend.

Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti”, shkruan Meta.