Politika Meta takon Manastirliun: Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave, do të mundemi t’ia...

Meta takon Manastirliun: Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave, do të mundemi t’ia dalim

“Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, i cili zhvilloi sot një takim pune me kërkesë të tij me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Ogerta Manastirliu, për sfidat aktuale të përballimit të pandemisë COVID-19.

Ministrja Manastirliu e informoi Presidentin Meta se në zbatim të strategjisë së hartuar dhe propozimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.

“Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, – tha ministrja Manastirliu.

Kreu i Shtetit pasi e siguroi Ministren për solidaritetin dhe mbështetjen e Tij të plotë për institucionet shëndetësore, shprehu falenderim dhe mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, si dhe nevojën e rritjes së masave mbrojtëse për mjekët.

Kreu i Shtetit apeloi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit të ri turistik.

Në këtë kuadër, Presidenti Meta dhe Ministrja Manastirliu theksuan  domosdoshmërinë e vijimit të koordinimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të COVID-19, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.

Presidenti Meta dhe Ministrja Manastirliu theksuan se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të masave mbrojtëse, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”.