Kryesore Meta takon Pendarovskin: Do bashkojmë përpjekjet për çeljen e negociatave

Meta takon Pendarovskin: Do bashkojmë përpjekjet për çeljen e negociatave

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me homologun maqedonas, Stevo Pendarovski, me të cilin ka diskutuar për bashkimin e përpjekjeve që të dyja vendet të hapin në muajin tetor negociatat me Bashkimin Evropian.

“Kënaqësi e veçantë të takoja Presidentin e Maqedonisë së Veriut, z.Stevo Pendarovski. Të dy vendet tona duhet të bashkojnë përpjekjet për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor. Duhet të përfitojmë nga ky momentum mjaft pozitiv që ka krijuar Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut. Po kështu ishte kënaqësi të konstatoja vendosmërinë e Presidentit Pendarovski për të bashkëpunuar dhe përfshirë opozitën në dialog për çështjet themelore të shtetit dhe demokracisë”, shprehet presidenti.

Meta flet edhe për krizën politike në Shqipëri teksa kujton se sot bëhet një muaj, sipas tij i shpërdoruar, që nga dekreti për anulimin e 30 qershorit.

“Ndërkohë sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme”, thotë Meta.