Kryesore Meta: Të çlirohemi nga format e regjimeve hibride

Meta: Të çlirohemi nga format e regjimeve hibride

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur t’i drejtohet qytetarëve me një mesazh në rrjetet sociale në Ditën e Europës. Meta thotë se “vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Kreu i shtetit shprehet se ky vokacion ka vazhduar me thirrjet e shqiptarëve në Lëvizjen e Dhjetorit me thirrjet “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”.

Por Meta thotë se kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta dhe për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane. Presidenti shkruan se tashmë është koha për të ndihmuar Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride për të ecur pa pengesa artificiale drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në BE.

Postimi i plotë:

Vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Shekuj më vonë, Shqipëria u bë viktima e parë e nazifashizmit në Europë, por u rreshtua në anën e duhur të historisë, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga vetja dhe vijuar me çlirimin e popujve të tjerë, në mënyrë që të vinte 9 maji i 1945.

E izoluar dhe e harruar për dekada nën regjimin më të egër diktatorial të kontinentit, Shqipëria e përqafoi fuqimisht mesazhin e 9 Majit me përmbysjen e atij regjimi shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t’ju përkushtuar në emër të tyre dhe të dinjitetit njerëzor, të paqes dhe progresit shoqëror, të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit ’90 “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”, por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa.

Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si “dimri demografik”, dramën më të madhe të vendit.

Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gëzuar ditën e Europës!