Politika Meta: Të çlirohemi nga makthi i rikthimit të çdo forme diktature

Meta: Të çlirohemi nga makthi i rikthimit të çdo forme diktature

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë mesazhe të forta ditën e sotme, teksa ka kujtuar Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit
Sipas Metës, bëhet fjalë për dy ideologji shkatërrimtare të shekullit të kaluar, që shkaktuan mijëra viktima të pafajshme edhe në vendin tonë.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, të shoqëruar edhe me foto gjatë vizitave në Kampin e Tepelenës dhe në Burgun e Spaçit, Meta shprehet se duhet të përballemi me seriozitet me të shkuarën jo vetëm për të mos harruar tragjeditë që kanë ndodhur, por edhe për t’u çliruar nga makthi i rikthimit të çdo forme diktature apo tendence despotike të qeverisjes.
“Është detyra jonë t’u mësojmë gjeneratave të reja të vërtetën e të kaluarës tonë të afërt, me qëllim që ajo të mos përsëritet më. Kujtimi i së shkuarës, të vërtetat e dhimbshme të mizorisë dhe shëmtisë së diktaturës komuniste janë një barrë ndërgjegjeje e madhe për të gjithë ne.
Disidenca shqiptare meriton jo vetëm të kujtohet, të shkruhet e të plotësohet, por edhe të nderohet me të gjithë respektin që meriton.
Përballja serioze me të kaluarën, trajtimi i saj me transparencë e drejtësi, uniteti shoqëror, paqja dhe mirëkuptimi social, do të na ndihmojnë, jo vetëm për të mos harruar tragjeditë e së shkuarës por edhe për t’u çliruar nga makthi i rikthimit të çdo forme diktature apo tendence despotike të qeverisjes”, shkruan presidenti Meta në rrjetet sociale.
Më tej, Meta thekson se shqiptarët duhet të dalin nga kontrolli politik, frika e varfëria.
“Për të bërë atë që është më mira që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat dhe liritë e tij si çdo qytetar europian, i pashantazhuar nga kontrolli politik, frika e varfëria.
Për të mos u kthyer më kurrë 30 vite pas!”, përfundon presidenti Meta.