Politika Meta: Të mos lejojmë kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri

Meta: Të mos lejojmë kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë, me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” vëllezërit Bujar, Ylber, Halit dhe Seit Petrela, si dhe Shqipjon Topullit (pas vdekjes).

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në institucionin e Kreut të Shtetit, ku merrnin pjesë Kryetarja e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit, znj.Gentjana Sula, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, z.Nebil Çika, ish-të persekutuar e përfaqësues të familjeve Petrela e Topulli, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se: “Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë është një mundësi për të ngritur zërin për viktimat e zhdukur gjatë regjimeve totalitare, por edhe për ato viktima të zhdukur gjatë ditëve të sotme kudo në botë”.

Gjithashtu Presidenti Meta u shpreh se “Një ditë si kjo, na kujton se ne duhet të jemi edhe më shumë të bindur për një rrugëtim më të shpejtë dhe solid drejt Bashkimit Europian dhe forcimit të demokracisë, duke mos lejuar më kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij.

Që të mos kthehemi 30 vite pas si në kohët e errëta të dhunimit dhe shtypjes së popullit shqiptar por të ecim përpara denjësisht si qytetarë të lirë evropianë dhe me dinjitetin njerëzor që meriton çdo njeri i këtij vendi”.