Kryesore Meta thumbon për herë të parë Bashën për “fitoren me 85%”

Meta thumbon për herë të parë Bashën për “fitoren me 85%”

Presidenti Ilir Meta ka komentuar dhe njëherë “fitoret” që liderët e të dyja palëve kanë shpallur pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Sipas Kreut të Shtetit, mazhoranca shpall fitoren me zgjedhje të njëanshme dhe të paligjshme, ndërsa thumbon për herë të parë edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha, që shpalli fitoren pasi 85% e qytetarëve nuk votuan.

Presidenti Meta shton se fitore të tilla thjesht i bëjnë dëm të ardhmes së vendit dhe garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave.

“Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë.

Por edhe entuziazmi i liderëve të opozitës se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore. “Fitore” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurt, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor”, shkruan presidenti Meta.