Politika Meta vlerëson Ramën: Qeveria ka marrë masat e duhura, paketa ekonomike tërësisht...

Meta vlerëson Ramën: Qeveria ka marrë masat e duhura, paketa ekonomike tërësisht pozitive

Në një intervistë ekskluzive për ‘Ilva Now’ në Euronews Albania, Presidenti i Republikës, Ilir Meta foli lidhur me atë çfarë u diskutua në Këshillin e Sigurisë Kombëtare sa i përket situatës së krijuar në vend nga COVID-19.

Kreu i shtetit u shpreh besimplotë se kjo situatë e pazakontë është tërësisht e menaxhueshme nëse secili do të bëjë detyrën e tij, për të ruajtur shëndetin e tij, të familjarëve dhe fqinjëve.

“Kjo mbledhje synonte realizimin e një vlerësimi për situatën dhe për përmirësimin e mekanizmit reagues, me qëllim minimizimin e pasojave për qytetarët dhe të gjitha efektet në ekonominë kombëtare, familjare dhe të drejtat e çdo qytetari. Kjo ishte arsyeja pse ishte i ftuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha për të shfaqur edhe ai pikpamjet e tij dhe të opozitës për të dhënë sugjerimet dhe për të bashkërenduar punën”, tha kreu i shtetit.

Meta u shpreh i bindur se uniteti politik në këtë moment do të ishte imuniteti më i mirë për të shpëtuar nga ky virus dhe rreziku që përbën për çdo qytetar.

“Në këtë drejtim uniteti, që për mua ekziston, vetëm duhet përforcuar, të gjithë bëjnë përpjekjet e tyre, që nga qeveria që ka përgjegjësitë më të mëdha, përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe padyshim edhe opozita, që është e përfshirë me idetë, qoftë dhe kritikat. Qëllimi është për të inkurajuar energji pozitive dhe për të dhënë mesazhe bashkëpunimi dhe optimizmi tek qytetarët.

Duke i ndërgjegjësuar të gjithë shqiptarët se secili prej tyre e ka për detyrë të japë kontributin e vet në këtë betejë, të dëgjojnë dhe të zbatojnë mesazhet dhe këshillat e autoriteteve. Jo vetëm të mos dalin në rrugë, por edhe brenda familjes, pasi bëhet fjalë për të mbrojtur shëndetin e tij dhe familjes dhe ekonominë tonë kombëtare dhe familjare”, tha ai.

Ai i vlerësoi masat e marra nga qeveria si ato të duhurat, ndërsa theksoi se vendimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore është mëse i drejtë, në mënyrë që jo vetëm të mbrohet shëndeti i çdo shqiptari, por edhe interesi i shtetit në një plan afatgjatë.

Sipas kreut të shtetit, paketa ekonomike e propozuar nga qeveria është tërësisht pozitive, pasi sjell mundësi për të bërë veprime të shpejta për të përballuar pasojat ekomomike në këtë situatë.