Kryesore Meta zbulon telefonatën me Fatmir Xhafajn: Më tha “fol me rrugën e...

Meta zbulon telefonatën me Fatmir Xhafajn: Më tha “fol me rrugën e Elbasanit”

Presidenti Ilir Meta ka folur në lidhje me qëndrimin e tij ndaj ambasadorëve që vijnë në Shqipëri, marrë shkas dhe nga fakti që shpalli non-grata ambasadorin e OSBE-së Bernd Brochardt. Teksa i quajti “lecka të kryeministrit Edi Rama” disa prej ambasadorëve, Meta kujtoi edhe Donald Lu-në.

“Ai më kërkonte falje gjithmonë. Më thoshte më fal se dija, më gënjeu Partia Socialiste”, tha Meta në emisionin “Open” në TCH.

Presidenti kujtoi edhe debatet për reformën në drejtësi kur ai ishte kryetar i Kuvendit. Meta tha se kur ishte arritur konsensusi pritej që të mblidhej Komisioni i Reformës në Drejtësi që ta zyrtarizonte, por ai po vonohej.

“Mora në telefon Fatmir Xhafajn i cili mezi ma hapi dhe i kërkova sqarim se çfarë po ndodhte. Më tha: “Fol me rrugën e Elbasanit”. Kjo ishte e papranueshme për mua. Atëherë i thirra ambasadorët e BE dhe SHBA dhe i kërkova që të vinin në zyrë Lul Basha që ishte në bashki dhe Edi Rama kryeministër.

Nga të gjithë vetëm Rama nuk erdhi. I thashë Bashës se çfarë kërkonte. Më tha vetëm atë nenin që ia kishte njohur Komisioni Venecias. Unë kërkova që meqë ia kishte dhënë Venecia ajo të rregullohej.

Atëherë i thashë Donald Lu që të bënte një deklaratë që “Rama po vonon reformën në drejtësi”. Ai u zu ngushtë dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi dhe të gjithë e votuan reformën”, kujtoi Meta.