Opinione Meta+Berisha, nuk janë = pushtet

Meta+Berisha, nuk janë = pushtet

Nga Dritan Hila

Është krijuar ideja se me daljen e Ilir Metës nga pallati presidencial, opozita forcohet me dy të fortë. Madje Meta është edhe i ri, dhe kështu forcohet dyshja që mund të mundë Edi Ramën në betejën e ardhshme.

E megjithatë kjo vijë logjike fut ujë në disa vrima.

Vrima e parë ka të bëjë me kohën e të fortëve. Berisha dhe Meta janë mësuar me stilin e të fortëve që të vjedhin në kutitë e votimit. Mirëpo kjo kohë ka ikur pasi shteti është forcuar. Nëse votat i marrin të fortët, kjo ndodh kur i blen. Mirëpo pak si shumë 12 vite opozitë, që të kesh para edhe për votat.

Opozita 12-vjeçare gjithashtu u ka mësuar njerëzve se Rama nuk para trembet nga Berisha dhe Meta, sikurse këta të dy nuk janë edhe aq të fortë sa shtiren. Skena e gërthitjeve të Metës në zyrat e FRD dhe disfata e Berishës në 8 janar, ishte një rënie e mitit të tyre. Të jesh President dhe të tallet Erion Veliaj, dhe të mos jesh në gjendje të marrësh një godinë në breg të Lanës, janë shenja të ligështisë së këtyre dy burrave dhe tregues se janë të fortë kur kanë shtetin mbrapa.

Dhe e çara e madhe është mungesa e elektoratit gri dhe të kultivuar të PD. Sado pak të jenë ndjekësit e Lulzim Bashës dhe elektorati gri, ata nuk do t’i shkojnë pas kësaj dysheje. Ata ose e kanë zgjedhur rrugën e tyre ose do ta zgjedhin, por nuk ka për të qenë ajo e dyshes.

Fatkeqësisht opozita kundër Ramës e arriti pikun e saj në 25 prill 2021 dhe ishte 80 mijë vota poshtë tij. Në situatën e sotme, pa një alternativë të re, askush nuk e tremb mbretërimin e Ramës. Kurse përralla e të fortëve tashmë është për tu treguar në netë dimri./dritare.net