Sport Mihajloviç shpërthen pas humbjes në derbi, akuza “Sky Sport”: Jeni bërë si...

Mihajloviç shpërthen pas humbjes në derbi, akuza “Sky Sport”: Jeni bërë si Inter TV

Të dielën Bolonja befasoi Interin në “San Siro”, pasi ndonëse ishte me një lojtar më pak në fushë, arriti të përmbysë avantazhin minimal të zikaltërve dhe të fitojë me rezultatin 1-2, duke marrë një tre pikësh mjaft të vlefshëm.

Megjithatë mbrëmjen e së mërkurës, kuqeblutë nuk arritën t’i japin vazhdimësi paraqitjes së mirë të bërë në Milano, pasi humbën derbin emilian me Sassuolon me shifrat 1-2, në stadiumin “Dall’Ara”.

I papërmbajtshëm u shfaq në konferencën për shtyp trajneri serb i Bolognës, Sinisa Mihajlovic, i cili në minutën e 82-të nuk i kurseu sharjet për arbitrin dhe u ndëshkua me karton të kuq.

“Jemi skuadra më e ndëshkuar me kartonë të verdhë, duket sikur kemi 11 vrasës në fushë. Më vjen shumë keq për trajtimin që na bëjnë arbitrat, pasi përfitojnë nga fakti që kemi lojtarë të rinj. Një me eksperiencë nuk ndëshkohet lehtë, ndërsa tanët marrin të verdhë për çdo faull. Më ishin “çarë to..t”, ndaj e shava arbitrin dhe u ndëshkova me të drejtë me karton të kuq”, deklaroi serbi në konferencën për shtyp.

Por si të mos mjaftohej me kaq, Mihajlovic nuk i kurseu kritikat as për drejtuesin e emisionit sportiv në Sky Sport, Fabio Caressa, këtë herë duke sjellë ndërmend komentet e bëra pas ndeshjes së fituar me Interin.

“Pashë emisionin tuaj të dielën në mbrëmje dhe për më tepër se 30 minuta nuk i dhatë asnjë meritë Bolonjës për fitoren në “San Siro”. Dukej sikur ishit Inter TV dhe flisnit vetëm si e humbi Interi ndeshjen. Kjo gjë ndodhi në të gjithë mediat dhe ishte skandaloze” tha trajneri serb.