Bota Mijëra qytetarë të rajonit dynden në Beograd pas thirrjes për vaksinim falas

Mijëra qytetarë të rajonit dynden në Beograd pas thirrjes për vaksinim falas

Mijëra qytetarë nga rajoni u dyndën në Beograd pasi autoritetet serbe gjatë fundjavës ofruan vaksina falas për të huajt. Radhët e gjata të boshnjakëve, malazezëve, maqedonasve, shpesh familje të tëra, u formuan përpara qendrës kryesore të vaksinimit në kryeqytetin serb.

Kritikët e Presidentit populist serb Aleksandër Vuçiç thonë se ai po përpiqet të përhapë ndikimin e tij mbi rajonin dhe të lustrojë imazhin ultranacionalist që kishte gjatë shpërbërjes se Jugosllavisë në vitet 1990.

Të tjerë thonë se dozat e AstraZeneca që po administrohen për të huajt janë afër datës së skadimit dhe duhet të përdoren sa më shpejt të jetë e mundur, një pretendim që nuk mund të verifikohet zyrtarisht.

“Në Maqedoni të Veriut nuk kemi vaksina. Erdha këtu të vaksinohem. I jemi mirënjohës sepse mund të injektohemi më shpejt sesa në Maqedoni”, tha një shtetas nga RMV.

Maqedonia e Veriut të dielën mori grupin e parë të vaksinave AstraZeneca përmes iniciativës COVAX. Një dërgesë prej 24.000 dozash u ul në aeroportin kryesor të vendit pranë kryeqytetit Shkup.

“Natyrisht, pritjet tona në lidhje me kohën e dorëzimit nuk janë përmbushur pasi kjo dërgesë ka mbërritur pas disa javësh vonesë, por duke pasur parasysh kërkesën globale për vaksina nga e gjithë bota, duke pasur parasysh se të gjitha vendet e botës janë përballur me këtë problem, mendoj se është mirë që (COVAX) të funksionojë ashtu siç ishte parashikuar”, tha Venko Filipce, ministri i Shëndetësisë në RMV.

Një avion nga Ankara u ul në aeroportin e Sarajevës, në të cilin u dorëzua nga Turqia një donacion prej 30.000 vaksinash, prodhuar nga Sinovac.

Vaksinimi do të nisë gjatë javës në Kosovë

Gjatë kësaj jave pritet të nis vaksinimi i qytetarëve kundër Covid-19 me vaksinat AstraZeneca dozat e para të të cilave kanë arritur të dielën në mbrëmje në Kosovë.

24 mijë dozat e para të vaksinës janë të siguruara përmes programit Covax nga 100.800 doza do të të marrë gjithsej Kosova nga ky program.

Vaksinimi do të nis me personelin shëndetësor duke vazhduar më pas me grupet e qytetarëve të rrezikuar dhe të moshuar.

Për ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, Kosova tani fillon fazën e re të luftës kundër pandemisë përmes vaksinimit.

“Edhe pse vaksinimi po fillon, nuk do të thotë që kësaj pandemie po i vjen fundi”, tha Vitia.