Sport Milan, Champions ose “spastrim total”: Ja kush rrezikon

Milan, Champions ose “spastrim total”: Ja kush rrezikon

Pesë javët e mbetura të kampionatit do të “thonë” nëse Milani realisht meriton të shkojë në Champions League apo duhet të presë sërish edhe një vit, duke thelluar më shumë dështimin këto vitet e fundit.

Barazimi në “Tardini”, ndaj Parmës, ishte një hap fals që askush nuk e priste, sidomos sepse ndaj Juventusit në Torino dhe Lazios në “San Siro” u pa një Milan ndryshe, me grintë, ide dhe sidomos energji. Por, ndaj verdhebluve, një ekip që lufton për mbijetesë, u rikthyen fantazmat e së shkuarës për kuqezinjtë.

Gennaro Gattuso duhet të jetë i zoti që të bëjë çmos që skuadra e tij të mos bjerë në depresion dhe të ulë entuziazmin që kishte fituar, ndryshe gjithçka bëhet më e vështirë. Në analizën që ka pasur me ekipin, trajneri ka kërkuar më shumë vetëbesim dhe sidomos më shumë vendosmëri.

Është e papranueshme që një klub që lufton për vendin e katërt të zbresë në fushë duke ecur dhe mos vrapojë, në ndryshim nga kundërshtari. Pa Champions League, gjithçka do të bëhej malore, edhe për Elliott, në kuadër të Fair Play Financiar.

Sa i përket merkatos dhe të ardhmes, Gattuso pa vendin e katërt është i larguar 100%. Në vend të tij po shihen disa opsione, edhe pse trajnerët “top” kërkojnë të paktën një ekip në Champions dhe merkato “bombastike”.

Milani pa Europën e madhe do të humbiste të paktën 50 mln euro, që në ditët e sotme, shumuar me shitjet dhe arkëtimet, përbën atë thesar për të pasur ide më të qarta.

Bakayoko duhet të mbahet me çdo kusht, por 35 mln eurot për t’u paguar nuk janë thërrime, sidomos nëse nuk shkohet në Champions.

Kështu, do të duhet sakrifikimi i njërit mes Kessie dhe Biglias, që gjithashtu nuk e ka të sigurt rinovimin e kontratës. Montolivo, Bertolaçi, Mauri, por edhe Strinic, Borini, Antonio Donnarumma janë të larguar, ndërsa kanë një muaj kohë të tregojnë veten Calhanoglu, Suso dhe të tjerët. Ndryshe, do të ketë spastrim total.