Sport Milan, fitore me vuajtje ndaj Bolonjës me 9 lojtarë dhe merr vendin...

Milan, fitore me vuajtje ndaj Bolonjës me 9 lojtarë dhe merr vendin e parë

Milan mori 3 pikët vetëm në fund ndaj Bolonjës, pavarësisht se kuqeblutë ishin me dy lojtarë më pak në fushë.

Ekipi i Stefano Piolit e nisi mirë ndeshjen, duke zhbllokuar rezultatin me anë të Rafael Leaos (16′) dhe disa minuta më pas, Soumaro u Bolonjës u ndëshkua me karton të kuq për një faull ndaj Krunic si lojtar i fundit (20′). Kuqezinjtë dyfishuan rezultatin me anë të Calabrias (35′), duke dhënë përshtypjen se ndeshja ishte mbyllur që në pjesën e parë.

Por, me fillimin e pjesës së dytë, vendasit e Bolonjës shënuan dy gola të shpejtë brenda 3 minutave, me një autogol të Ibrahimovic (49′) dhe një gol të Barrow (52′), duke tronditur kuqezinjtë.

Kartoni i dytë i kuq për Bolonjën vjen në minutën e 58, kur Soriano shkakton një faull të rëndë ndaj Ballo-Toure.

Milani e gjen golin e tretë vetëm në minutën e 84, me anë të Bennacer, ndërkohë që rezultatin në 4-2 e vulos Zlatan Ibrahimovic, në minutën e fundit të ndeshjes.

Me këtë fitore, Milan ngjitet përkohësisht në vendin e parë të Serisë A, me 25 pikë, në pritje të ndeshjes që Napoli do të luajë nesër ndaj Romës.