Sport Milan shuan shpresat për kualifikim. Inter rikthehet në pistë. Klopp mund Simeonen

Milan shuan shpresat për kualifikim. Inter rikthehet në pistë. Klopp mund Simeonen

Milan ka zhgënjyer në Portugali, në ndeshjen e tretë të grupit ndaj Portos, duke humbur 1-0 dhe duke shuar shpresat për një kualifikim të mëtejshëm në Champions League.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Diaz, në minutën e 65.

Kuqezinjtë e shohin veten në vend të fundit, me 0 pikë pas 3 ndeshjeve të para, në grupin që kryesohet nga Liverpool me 9 pikë, i ndjekur nga Atletico Madrid dhe Porto, me nga 4 pikë secila.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Liverpool mundi në transfertë Atletico Madrid me rezultatin 2-3, në një ndeshje ku Griezmann shënoi dy gola, por edhe u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë ekipin spanjoll me 10 lojtarë atëherë kur kishte më shumë nevojë.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të mbrëmjes së sotme, Leo Messi përmbysi me dy gola Leipzigun, duke i dhënë fitoren 3-2 PSG; Ajax shkatërroi 4-0 Borussia Dortmund; City mposhti 5-1 Club Brugge; Sporting fitoi në Turqi 4-1 ndaj Besiktas.

Interi mposht Sherif Tiraspolin me rezultatin 3-1, dhe rikthehet në lojë për kualifikimin në grupin D.

Ekipi i Sherifit ndodhej jo pa surprizë në krye të renditjes pas fitoreve me Shaktar dhe Real Madrid, por moldavët sot nuk shprehën lojën që i karakterizon.

Pas disa rasteve, Inter kaloi në avantazh me bomberin Dzeko në minutën 34, me Interin që nuk dyfishin dot gjatë pjesës së parë.

Ekipi i Tiraspolit gjendet gjithsesi në një periudhë të artë të historisë së saj, dhe luksemburgezi Till arrin të shënoi me goditje dënimi në minutën 54, pasi kishte gjunjëzuar në sekondat e fundit “Los Blancos” në Bernabeu.

Por teksa tek tifozët e Interit po riktheheshin makthet e sezoneve të fundit në Champions, Arturo Vidal shkriu tensionin në San Siro me golin e tij në të 58 -ën. Interi zhbllokohet duke pasur raste të shumta,  dhe trefishon me mbrojtësin De Vrij dhjetë minuta më pas.

Interi ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë që Real Madrid shpartalloi 0-5 Shaktarin në Ukrainë, duke marrë kreun e renditjes me 6 pikë, po aq sa Sheriff, në një grup tashmë të hapur.