Sport Milani mësohet me humbjet, pëson të tretën radhazi

Milani mësohet me humbjet, pëson të tretën radhazi

Kuqezinjtë pësuan disfatën e tretë radhazi në Serinë A, pasi u mundën nga Sampdoria në San Siro me rezultatin 0-1.

Kështu, pas humbjeve me Napolin, Juventusin, Udinezen dhe Sampdorian, skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montella e sheh të vështirë një vend në Evropë për sezonin e ardhshëm, duke qenë se për momentin renditet në vendin e tetë të klasifikimit.

Kuqezinjtë, faktikisht, zhvilluan një pjesë të parë fantastike, me të paktën katër aksione të cilat mund të shndërroheshin në gola plotësisht të merituar, por asnjëri nga lojtarët vendës nuk u tregua efikas para porte. Rol luajtën edhe ndryshimet në formacion, pasi Alessio Ramagnoli dhe Juraj Kucka u përdorën si mbrojtës krahu. 45′ e para u mbyllën 0-0, por me plot emocion

Ritmi i lojës në pjesën e dytë ra, me Milanin i cili e pati gjithmonë e më të vështirë për të penetruar në mbrojtjen kundërshtare. Pas një sërë aksionesh të paqarta të vendësve, në të 69′ Sampdoria shfrytëzoi çastin e artë: një penallti të fituar nga Fabio Quagliarella. Sulmuesi pësoi faull nga Gabriel Paletta në hyrje të zonës dhe 11-metërshin e ktheu në gol Luis Muriel, i cili mposhti lehtësisht Gianluigi Donnarumma-n. 0-1! Kuqezinjtë u mobilizuan për të barazuar, por s’patën sukses. Në të 87′, Gianluca Lapadula mori pasimin ideal nga Suso, teksa ishte vetëm pesë metra larg portës, por gjuajti dobët.