Sport Milano ngjyroset zikaltër!

Milano ngjyroset zikaltër!

Interi rizgjohet tek më e bukura. Pas eliminimit zhgënjyes në Europa League, zikaltrit konfirmuan supermacinë e këtyre viteve të fundit në derbin e Madoninës teksa mposhtën 3-2 Milanin në një sfidë spektakolare nga minuta e parë deri në atë të fundit.

Një fitore rikthen skuadrën e Spallettit në vendin e tretë dhe i jep pak frymëmarrje në garën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Dëshira e kuqezinjëve të Gattusos nuk mjaftoi që pas 5 fitoreve radhazi u mposhtën në derbi pas plot 6 vitesh si skuadër pritëse, duke zbritur në vendin e 4-t.

Sfida nisi menjëherë me gol me Vecinon që i shërbyer nga Lautaro Martinez u gjend në vendin dhe në kohën e duhur për të kaluar Interin në avantazh. Pikërisht Vecino kishte shansin e artë për t’i çuar shifrat në 0-2 në minutën e 31-të por gaboi një penallti në lëvizje në mënyrë të pabesueshme. Më mirë Interi në pjesën e parë me Handanovic që u vu në provë vetëm me dy goditje nga distanca të Paqueta dhe Calhanoglu.

Nëse në pjesën e parë Interi shënoi pas 3 minutash vetëm 6 iu deshën në fraksionin e dytë, me Stefan De Vrij që gjeti golin e tij dytë me fanellën zikaltër me një goditje me kokë pas një krosimi të Politanos. Megjithatë Milani u rikthye shumë shpejtë në ndeshje falë golit të parë kuqezi të Bakayoko.

Gjithsesi në minutën e 67-të zikaltrit ndëshkuan sërish Milanin falë një penalltie të fituar me dinakëri nga Politano dhe të kthyer në gol nga Lautaro Martinez. Gjithsesi emocionet në këtë derbi nuk kishin të mbaruar me Musachion që riktheu Milani sërish në lojë në minutën 71-të, pas një topi të larguar keq nga D’Ambrosio.

25 minutat e fundit me gjithë shtesën folën të gjitha për skuadrën e Gattusos që provoi me çdo mënyrë për të barazuar, por Piatek në rastin e vetëm që pati në këtë sfidë nuk gjeti kuadratin ndërsa në sekondat e fundit të shtesës D’Ambrosio bëri portierin për t’i hequr mundësinë e festës Cutrones dhe për të gëzuar tifozët zikaltër.