Politika Milo lëvdon Ruçin: Protesta ndaj tij është artificiale!

Milo lëvdon Ruçin: Protesta ndaj tij është artificiale!

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, e ka cilësuar si të rëndomtë protestën e parashikuar për t’u mbajtur në seancën e parë plenare të këtij sesioni parlamentar, kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të këtij institucioni. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Milo e ka lëvduar Ruçin, duke i mëshuar faktit se ai është njeriu me më shumë përvojë parlamentare.

“Më duket e habitshme dhe artificiale, nuk më ngjan se është në taban ky veprim opozitar për të kontestuar zgjedhjen e një njeriu me kaq përvojë parlamentare.

Kush mund të vijë në krye të parlamentit shqiptar, nëse nuk do jetë një person me një përvojë të tillë?

Duket e rëndomtë kjo lloj proteste ndaj zgjedhjes së Ruçit në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Milo.

Ndër të tjera, Milo tha se pritet që në 4 vitet e ardhshme të kemi një opozitë të fortë, dhe që të japë ide konstruktive. Sipas tij, PD dhe LSI do të përpiqen të bëjnë një opozitë të fortë, secili me tezat e tij.

“Mendoj se do të ketë një opozitë të fortë. PD dhe LSI besoj se do të përpiqen të bëjnë një opozitë të fortë, secili me tezat e tij. Por fortësia dhe agresiviteti i opozitës në Parlament, duhet të përqendrohet më tepër në paraqitjen e alternativave ndaj projekteve të qeverisë, dhe jo të shndërrohet Parlamenti në një arenë akuzash e përplasjesh, siç ndodhi në 4 vitet që lamë pas.

Nëse do ketë një sjellje të opozitës si ajo e 4 viteve që shkuan, do të thosha se Parlamenti nuk do të jetë në lartësinë e duhur, si ajo që kërkon dhe pret populli shqiptar. Duhet respektuar institucioni i Parlamentit. Opozita duhet të japë ide konstruktive”, u shpreh Paskal Milo.