Politika Milo: PD të tërhiqet nga qeveria teknike

Milo: PD të tërhiqet nga qeveria teknike

Paskal Milo thotë se kërkesa e opozitës për qeveri teknike dëmton kauzën e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I ftuar në Top Story, kreu i Partisë Demokracia Sociale e quajti situatën tejet të rrezikshme dhe këshillon që prej kësaj krize të dilet përmes dialogut mazhorancë-opozitë, ku të dyja palët të bëjnë lëshime.

Si mundësi një mundësi të mirë për nisjen e dialogut, Milo sheh të martën.

“Të gjitha përpjekjet duhen përqendruar si të gjendet një zgjidhje konsensuale. Shpresoj që ditën e martë, kur të mbërrijë në Tiranë i dërguari i PPE të mund të fillojë ajo fazë negocimi që mund të çojë në një zgjidhje sa më të shpejtë që procesi të normalizohet”, tha ai.

Thirrja e Milos drejtuar Partisë Demokratike ishte një.

“I bëj thirrje PD që të mos mbajë peng as veten në çadër dhe as peng vendin me kërkesën për qeveri teknike. Ka qenë e nxituar dhe është e nxituar. Nëse do të ktheheshim pas në kohë, jam i bindur që PD nuk do ta bënte këtë kërkesë. Nëse PD dhe opozita në tërësi do të pëqendrohej për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të kishte dhe mbështetjen tonë publike të plotë, por duke kombinuar këto kërkesa me qeverinë teknike. humbet rëndësia dhe mbështetja që do të kishte kjo protestë”, thotë ai.

Kryetari i PDS-së thotë se mund të realizohet numërimi elektronik, ndërsa për votimin elektronik nuk ka kohë për infrastrukturën që duhet.