Politika Mini Shengeni/ Rama thumbon Albin Kurtin: Kujton se do shpëtojë botën

Mini Shengeni/ Rama thumbon Albin Kurtin: Kujton se do shpëtojë botën

Kryeministri Edi Rama tha se projekti i Mini Shengenit Ballkanik nuk do të ndalet dhe se për këtë ka mbështetjen e SHBA-ve, ndërsa kritikoi qëndrimin e Kosovës dhe të Albin Kurtit që e ka konsideruar këtë “një hap të nxituar”.

“Vjen njëri që ka fituar zgjedhjet në Kosovë dhe kujton se do shpëtojë botën dhe më thotë mua mos u ngut”, thumboi Rama, Kurtin.

“Nuk ka gjë më të gabuar se fitimtari ta kthejë veten në humbës. Nuk ka gjë më të keqe se të vetizolohesh. Çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet me kërcitje dhëmbësh, nuk mund të zgjidhet me tarifa që janë mjete dhe jo qëllime.

Vjen njëri që ka fituar zgjedhjet në Kosovë dhe kujton se do shpëtojë botën dhe më thotë mua mos u ngut. Më vjen keq për Hashim Thaccin që bën një piruetë 360% dhe kthehet në të njëjtin pozicion, ishte i ftuar, nga çfarë tavoline po ikën? Ky është një virus që rrezikon t’u futet të gjithëve. Pse këta do të më marrin peng mua duke menduar se do të më shpallin tradhtarë? Kurrë”, tha Rama në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova.

“Këtu kanë ardhur edhe te unë dhe më kanë thënë këtu është vija e kuqe, ndërsa shengeni rajonal e heq kufirin me marrëveshje bilaterale. Duhet me u bërë pjesë e kësaj tryeze. Nuk bëhet kaq lehtë, që hiq kufirin dhe KÇK-ja ikën e gjitha në Kosovë. Nuk kemi hyrë me ëndrra, por me plan”, tha ai.

Rama zbulon çfarë i tha Macron, Haradinajt në Berlin

Ditën e shtunë në 21 dhjetor në Durrës do të zhvillohet takimi i radhës për Mini Shengenin ballkanik, të cilin Kosova e refuzuar, ndërsa Rama e kritikoi vendimin. Kryeministri Rama tha se do të ketë përfaqësues edhe nga DASH-i dhe vendet e tjera dhe organizata.

“Kosova bën mirë të mos vijojë të luajë, por ti dëgjojë SHBA-të. Ashtu sikur i ka dëgjuar në kohën kur pa ata nuk do të ishte ashtu sikur është. Do të vinë të gjithë, edhe nga vendet e tjera, Kosovën e kam ftuar përsëri.

Do të vijnë nga SHBA, i dërguari special i SHBA Palmer më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do të dërgojë dy persona nga DASH në mbështetje të këtij procesi, do të vijnë nga KE, nga BERZH, BB, Banka e Investimeve, do të vijnë të gjithë, sepse e mbështesin të gjithë këtë proces. Nuk mendoj se SHBA, Gjermania, Franca, Europa, kanë ndonjë dyshim lidhur me atë aspekt shqetësues që përbën Serbia apo ka konspiracion kundër Kosovës. Kosova është fitimtare e luftës, ta kthejë veten humbës? Të izolohet edhe nga ne, që të izolohemi nga procese që janë në funksion të zgjidhjes së çështjes”.

Rama kritikoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj në lidhje me tarifën 100% për mallrat e Serbisë. “Macron i tha Ramushit, 4 muaj, na e jep mundësinë mua edhe kësaj (Merkel), mos e hiq tarifën, pezulloje katër muaj dhe nëse nuk ndodh asgjë, heq veton për liberalizimin e vizave. Sot do të lëviznit të lirë nëse tarifa do të përdoren si instrument dhe jo si qëllim. Kështu është kur bëhet politikë në emër të syve të Kosovës dhe duke i pasur sytë miop”, tha ai.