Aktualitet Ministri Gjiknuri e pranon: Edhe në Theth do të ndërtohen 3 HEC-e

Ministri Gjiknuri e pranon: Edhe në Theth do të ndërtohen 3 HEC-e

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri deklaroi mbrëmjen e sotme se në zonën e Thethit do të ndërtohen 3 hidrocentrale.

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’ Gjiknuri teksa u pyet nga moderatorja Eni Vasili lidhur me këtë fakt, ai e konfirmoi, duke nënvizuar faktin se HEC-et nuk do të ndërtohen në zonë të mbrojtur.

“Nuk kemi dhënë HEC në zonë të mbrojtur në Theth. Po do të ndërtohen. Por jo në zonë të mbrojtur, por larg saj”, tha shkurtimisht Gjinkuri.

Po ashtu Gjiknuri u pyet edhe për HEC-et në Valbonë, ndërsa ai tha se: “Ju e merrni të gjithë zonën. Tek Osumi, në pjesën e poshtme të tij, nëse nuk ka lidhje me kanionin, ska lidhje. Për pjesën e Valbonës e kemi sqaruar. HEC ka marrë lejen dhe ka nisur puna. KKT ka dhënë lejen dhe atij projekti i kemi kushtuar vëmendje që të mos ketë impakt mjedisor”.

Kjo deklaratë vjen pas debateve që shkaktoi lajmi mbi ndërtimin e dy HEC-eve në kanionet e Skraparit, për të cilat kryeministri Edi Rama tha se janë konstatuar shkelje të koordinatave dhe se do të anulohen.