Kryesore Ministri i Jashtëm grek: Unë jam himarjot. Edi Rama grek nga gjyshja,...

Ministri i Jashtëm grek: Unë jam himarjot. Edi Rama grek nga gjyshja, habitem që ka qasje antigreke

Nikos Dhendhias

Kryeministri i Greqisë Qiriakos Micotaqis i ka besuar drejtimin e politikës së jashtme një prej njerëzve të tij më të afërt nga radhët e partisë “Demokracia e Re”, Nikos Dhendhias, me qëllim forcimin e pozitave të vendit  në arenën ndërkombëtare.

Në dosjen e përgatitur me prioritetet në fushën e diplomacisë për mandatin që sapo nisi, kryeministri Micotaqis synon rritjen e bashkëpunimit me  aleatët tradicionalë.

Por kryefjala e diplomacisë greke pritet të jetë ripërcaktimi i marrëdhënieve  me Turqinë, si dhe perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në platformën e qeverisë së partisë “Demokracia e Re” theksohet dhe “nevoja për të kufizuar ndikimin negativ të marrëveshjes së Prespës”.

Por kush është Nikos Dhendhias dhe çfarë roli do të luajë në marrëdhëniet me Shqipërinë?

60-vjecari me profesion avokat ka lindur në ishullin e Korfuzit, ka ushtruar detyrën e ministrit të Drejtësisë, të Mbrojtjes dhe të Rendit Publik.

Dhendhias ka deklaruar shpesh me krenari origjinën e tij nga Shqipëria. Disa herë në studiot televizive ai është shprehur se të parët të tij ishin nga Himara.

Një vit më parë kur Dhendhias ishte një nga zërat më të fortë të opozitës dhe ngrinte dyshime mbi politikën e jashtme të Aleksis Tsiprasit kritikoi në distancë dhe kryeministrin Rama.

“Më bën përshtypje të jashtëzakonshme që kryeministri Rama nuk ka qëndrime pro greke. Më bën përshtypje sepse zoti Rama është çerek grek, gjyshen e tij Anagnosti e njihja në Korfuz.  Duhet të mbrojmë dhe të drejtat tona, minoritetin grek në vendin fqinj, por nuk mund të lejojmë që vendi të bëhet terren për kërcënime. Shqipëria ka nevojë për marrëdhënie të mira me Greqinë, edhe me BE-në. Kemi shumë mënyra dhe mjete për ti bërë presion Shqipërisë që të ushtrohet e drejta në Shqipëri. Nuk duhet t’u lëmë të besojnë se mund të bëjnë ç’të duan”, pati deklaruar Dhendhias që tashmë është në krye të diplomacisë greke.

Athina dhe Tirana duhet t’u japin zgjidhje shume çështjeve te mbetura pezull mes dy vendeve, por tashme me qeverinë e re Greqia pritet të bëjë ndryshime ne kursin diplomatik.