Aktualitet Ministria e Drejtësisë paralajmëron kontrolle dhe masa për përmbaruesit private

Ministria e Drejtësisë paralajmëron kontrolle dhe masa për përmbaruesit private

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ashpër ndaj fenomenit të abuzimit me detyrën nga ana e shoqërive përmbarimore dhe përmbaruesve të veçantë privatë, të cilët shkelin ligjin dhe cenojnë të drejtat e qytetarëve.

Në një deklaratë për shtyp Ministria e Drejtësisë paralajmëron se do të marrë masa deri në kallëzime penale ndaj të gjithë përmbaruesve, të cilët pasi janë penalizuar me heqje të licences, ndryshojnë emrin e shoqërisë apo kalojnë nga një shoqëri në një tjetër, për të vijuar të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Reagimi vjen menjëherë pas denoncimit të bërë në një emision investigativ, ku tregohej se një qytetari i ishte marrë paga nga banka nga një shoqëri përmbarimore, megjithëse ai nuk ishte as debitor dhe as dorëzanës në çështjen e trajtuar.
Për këtë çështje MD thotë se ka nisur një kontroll të thelluar, me synim nxjerrjen e përgjegjësive përkatëse Ligjore. Sipas saj shoqëria “Star” e denoncuar nga qytetari ka qenë edhe më parë objekt kontrolli, për shkak të ankesave që janë drejtuar nga qytetarë të ndryshëm.

Në vitin 2017, pas një kontrolli të bërë me urdhër të ministres Gjonaj, u është hequr licenca e përmbaruesit 3 prej punonjësve të kësaj shoqërie dhe dy përmbaruesve të tjerë, të shoqërisë përmbarimore “Shërbimi përmbarimor ZIG”, për të cilën Ministria e Drejtësisë thotë se ishte përfshirë në veprime të paligjshme. Madje për këtë të fundit MD ka bërë kallëzim penal në prokurori.

“Ministria e Drejtësisë gjen rastin t’u bëjë thirrje Dhomave Kombëtare të përmbaruesve, noterëve, avokatëve edhe ndërmjetësve, që të bashkëpunojnë me seriozitet, në ushtrim të përgjegjësive të tyre ligjore për ndëshkimin e çdo rasti të abuzimit me ligjin dhe për verifikimin e pastrimin nga radhët e profesionistëve të ndershëm të të gjithë atyre, të cilët me veprimet e tyre abuzive, nuk meritojnë të ofrojnë shërbim ndaj qytetarëve me licensat e dhëna nga shteti”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.

Në të njëjtë kohë ky dikaster fton qytetarët që të paraqesin çdo shqetësim apo problem që ata kanë lidhur me shërbimet në zyrat e profesioneve të lira, përmbarues, noter, avokat apo ndërmjetës, duke i siguruar se do t’i ndjekë dhe verifikojë me seriozitet ato, duke vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë shkelësit e ligjit