Kryesore Ministria e Jashtme: Pala greke do marrë masa për lehtësimin e situatës...

Ministria e Jashtme: Pala greke do marrë masa për lehtësimin e situatës në Kakavijë

Ministria e Jashtme ka bërë një tjetër reagim lidhur me situatën e rëndë në pikën kufitare të Kakavijës, ku janë bllokuar mijëra emigrantë shqiptarë që kërkojnë të hyjnë në vendin fqinj.

Radhët kilometrike shoqëruar me temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme shëndetësore te të moshuarit ndërsa raportohet se tre persona janë dërguar në spital.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se pas bisedimeve me palën greke, kjo e fundit ka pohuar se pala greke do marrë masa për lehtësimin e situatës.

“Me qëllim përballimin e situatës dhe lehtësimin e lëvizjes që qytetarëve shqiptarë janë kontaktuar në vijimësi autoritetet greke të cilët kanë shtuar personelin shëndetësor në Pikën Kufitare të Kakavijës. Së fundi pala greke ka njoftuar se do të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit.

Risjellim në vëmendje se shtetasit shqiptarë mund ta kryejnë testin edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë përgjigjen në anglisht. Ky testim njihet edhe nga autoritetet greke dhe do ta lehtësonte më shumë situatën.” – thuhet në njoftimin e ministrisë.