Ekonomi Ministrja Balluku reagon ashpër ndaj kinezëve të Rinasit

Ministrja Balluku reagon ashpër ndaj kinezëve të Rinasit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Kryeministri Rama dhe në mbrëmje ka reaguar edhe ministrja e Transportit dhe Energjetikës, Belinda Balluku, deklarata e së cilës ishte shumë herë më e ashpër se e zyrtarëve të tjerë qeveritarë më herët.

Balluku ka reaguar pas deklaratës së “Tirana International Airport (TIA)”, ku thuhej se koncesionari ka qenë korrekt në përmbushjen e detyrave, si dhe është rritur siguria pas ngjarjes së ndodhur 3 vite më parë.

Por ministrja Balluku nuk është e këtij mendimi.

“Në situatën e rëndë që i është krijuar aviacionit civil shqiptar për shkak të ngjarjes së datës 9 prill, në situatën ku është cenuar siguria kombëtare dhe si rrjedhojë edhe ajo ndërkombëtare pasi aviacioni është një sektor pa kufij, reagimi i koncesionarit kinez tregon jo vetëm papërgjegjshmëri, po dhe mosperceptim të demit që ka shkaktuar për vendin. Diskrecioni është element sigurie padyshim në aviacion, por jo ditën kur keqbërësit aksesojnë territorin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar, pa asnjë pengesë apo mund për të depërtuar në pak sekonda deri tek shkallët e avionëve të mbushur me pasagjerë. Që shteti shqiptar, që vetë shqiptarët të dëgjojnë sot thirrje për respektim të hetimeve nga koncesionari, i cili nuk respekton asnjë etike profesionale të fushës ku ka vendosur të lëvroj aktivitetin është jo vetëm fyese po edhe revoltuese për secilin prej nesh”.

Balluku kujton edhe çmimet e kripura që ofrohen për shqiptarët. “Kjo kompani, e cila u keqshërben shqiptarëve me çmimet më të kripura në Evropë, në sajë të një kontrate të vjetër abuzive koncesionare – se aeroporti është i të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që vetëm unë si ministre marr çdo ditë mesazhe qytetarësh të pakënaqur për flamujt kinezë që valëviten sikur jemi në Pekin, ky është një kulm revoltues cinizmi!

Cilat masa sigurie ka përmbushur kompania kineze? Sa herë ka pasur thyerje të rrethimit të aeroportit? Sa herë ka dështuar siguria private që koncesionari ka kontraktuar për garantimin e sigurisë së aeroportit gjatë testeve të ushtruara nga AAC?

Por koha e fjalëve mbaroi!

Shteti shqiptar po vepron dhe siguria do të garantohet në perimetrin e jashtëm nga trupa të ushtrisë (siç ndodh në shumë aeroporte të Evropës e të botës) dhe forcat e policisë do të marrin nën kontroll hapësirën brenda rrethimit – pa pritur asnjë minutë më shumë që pronarët kinezë dhe menaxherët e tyre pehlivanë të mësojnë ligjet e Republikës së Shqipërisë”.

Ministrja theksoi se do të përballemi deri në fund me përgjegjësitë e kësaj kompania. Madje ajo thotë se tashmë nuk ka vend më për tolerime, limitet janë kapërcyer.

“Ne do ta përballim kompaninë deri në fund me përgjegjësitë e saj, jo vetëm për cenimin e vazhdueshëm të sigurisë, jo vetëm dëmet e për efektin negativ që ka krijuar mbi sistemin bankar, por edhe për prishjen e imazhit kombëtar kudo në botë. Ne kemi besuar tek dialogu e mirëkuptimi dhe nuk kemi dashur të krijojmë kosto të asnjë natyre me veprime ekstreme. Tani boll. Edhe deklarata e sotme e koncesionarit është një provë që koha ka mbaruar dhe limitet janë kapërcyer”.