Politika Ministrja Xhaçka: Meta ka shkelur ligjin, i kërkoi informacion shefit të Shtabit

Ministrja Xhaçka: Meta ka shkelur ligjin, i kërkoi informacion shefit të Shtabit

E pyetur në lidhjen e drejtpërdrejtë me emisionin “Open” nga drejtuesja Eni Vasili nëse ishte konsultuar me presidentin Meta për dërgimin e Policisë Ushtarake në mjediset e Aeroportit të Rinasit, ministrja Xhaçka tha se nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

“Nuk kam nevojë fare të konsultohem me Presidentin e Republikës për këtë vendim, sepse nuk kemi të bëjmë me asgjë që ka të bëjë me Kushtetutën, apo me ligjet që kemi në fuqi. Nuk jemi në rast lufte, nuk kemi ndryshim të nivelit të gatishmërisë. Nuk është se ushtria ka marrë në dorë sigurinë, rendin publik, sigurimin e popullatës. Nëse do të kishte qenë e tillë do të duhej ndërhyrja e Kuvendit, jo e presidentit”, tha Xhaçka.

Ndërkohë, fakt është se presidenti i ka kërkuar informacion shefit të Shtabit të Përgjithshëm për bazën ligjore se ku motivohet lëvizja e ministres. A i është përgjigjur kreut të Shtetit zonja Xhaçka?

“Në fakt, presidenti ka shkelur ligjin që i ka kërkuar informacion shefit të Shtabit. Presidenti vepron përmes Shtabit në kohë lufte, por në kohë paqeje ligji për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit-komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë e përcakton qartë zinxhirin e drejtimit, i cili nis me Kuvendin dhe mbaron me komandantin e fundit në hierarki”, deklaroi Xhaçka.