Aktualitet Mira Rakacolli: Maskat, të detyrueshme me akt normativ

Mira Rakacolli: Maskat, të detyrueshme me akt normativ

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe kryetare e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, e sheh të domosdoshëm aplikimin e penaliteteve për mosmbajtjen e maskës në mjedise publike. Në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, Rakacolli tha se kjo do të rregullohet së shpejti përmes një akti normativ, pas një propozimi të Komitetit të Ekspertëve.

“Vendosja e maskave ka qenë dhe është e detyrueshme në çdo protokoll hapjeje. Në supermakete dhe institucione nuk të lejojnë të hysh pa maskë. Problemi është se duke menduar gjithmonë te ndërgjegjësimi i njerëzve nuk është shoqëruar me penalitete. Për këtë arsye, me këtë rritje numrash dhe me mosrespektimin e këtij rekomandimi, komiteti ka menduar ta propozojë më me forcë këtë lloj mase duke propozuar edhe penalitete. Këto penalitete do të vendosen me akt normativ. Pra maska do të jetë barrierë mbrojtëse, ku përfshihen maskat profesionale dhe jo profesionale. Maskat do të jenë të detyrueshme dhe në momentin që nuk zbatohen do të ketë penalitete,”- tha Rakacolli.

Sipas saj, ka një rënie të moshës së të prekurve nga koronavirusi dhe kjo mund shpjegohet me ndërgjegjësimin e moshës së tretë për rrezikun që paraqet për ta virusi.

E pyetur për emrat VIP të raportuar shpesh në media si të prekur nga Covid-19, Rakacolli tha se virusi nuk kursen asnjë, por shtoi se respektohet privatësia e gjithsecilit pacient.