Politika Miratohet logoja zyrtare e 75-vjetorit të Çlirimit

Miratohet logoja zyrtare e 75-vjetorit të Çlirimit

Zëvendës kryeministri Erjon Braçe ka bërë publike logon zyrtare të 75-vjetorit të Çlirimit, duke theksuar se Bashkimi Europian është një projekt përbashkues edhe kundër fashizmit.

Fituesi i konkursit te zhvilluar nga ministria e kulturës për këtë logo u shpall Darling Dardha.

Ai u shpreh: “Sot miratuam logon zyrtare të festimeve për 75-vjetorin e Çlirimit, krijim i një djali të ri, student i Arkitekturës”, duke u shprehur se sot jemi krenar prej Luftës.

Braçe shtoi: “Bashkimi Europian lindi si projekt përbashkues edhe kundër fashizmit; fare pak kohë pas përballjes më të madhe me të. Bashkimi Europian nuk e ka humbur asnjëherë veprimin reagues përballë çdo shfaqjeje fashiste, edhe si sovraniste apo populiste, raciste”.

Po ashtu, Braçe nënvizoi se si një popull që dëshiron të bëhet pjesë integrale e familjes europiane për të hyrë në familjen europiane, duhet të mbajmë një qasje të tillë.

Ai tha: “Shfaqjet e përsëritura raciste, urrejtëse, fashiste herë si sport, si letërsi apo si histori e re e pa treguar më parë, ulërasin për prirjen e re politike e kriminale si projekt politik. Lufta kundër fashizmit ishte e drejtë! Tradhtia e bashkëpunimi me fashizmin ishte një turp. Lufta kundër fashizmit e tradhtisë na rreshtoi në krahun e drejtë të historisë, në koalicionin më të madh të popujve kundër të keqes në histori”.