Sport Mirënjohje dhe respekt për kontributin e dy vëllezërve memaliotë, futbollistët Petrit dhe...

Mirënjohje dhe respekt për kontributin e dy vëllezërve memaliotë, futbollistët Petrit dhe Selam Kocali!

Futbolli, sporti magjepës, që u bë dashuria e parë e sporteve edhe nga memaliotët!

Memaliaj, edhe pse një qytet i vogël, gjithmonë është shquar për traditën e sportit të futbollit, ku shumë futbollistë memaliotë janë rritur me ketë sport dhe e kanë çuar më tej, duke e trashëguar, jo vetëm në familjet e tyre, por edhe te bashkëqytetarëve të tyre. Këta janë vëllezërit e mirënjohur të futbollit tepelenas, Petrit dhe Selam Kocali. Të dy vëllezërit, kanë vendlindje Memaliajn, qytetin ku prindërit e tyre Zade dhe Refit Kocali, erdhën në fillim të viteve 1950-të, për të punuar dhe jetuar. Në këtë qytet ata do të bëheshin edhe prindër me ardhjen në jetë të fëmijëve të tyre: Petrit, Selam, Garentina, Liljana, Agron, Mimoza dhe Dritan. Babai i tyre, Refiti, ka punuar me përkushtim gjithë jetën në minierë, ndërsa nëna e tyre, Zadja, ka punuar në spitalin e qytetit.

Memaliaj: Ekipi i futbollit të “Minatorit”, përpara një ndeshjeje të kampionatit të përgjatë viteve 1969-70. Nga e majta: Sabaudin Shehu (trajner), Neshet Zhupa, Petrit Kocali, Asllan Seferi, Muhamet Lola, Qirjako Fani, Mehdi Malka, Enver Ogreni, Sadik Nela, Gëzim Hysesani dhe Abaz Dedgjoni.

Petriti u lind në muajin Mars të vitit 1952, ndërsa i vëllai i tij më i vogël, Selami, u lind më 22 Korrik të vitit 1957-të. Arsimin 8-vjeçar dhe atë të mesëm, e kryen në vendlindje. Të dy, kanë filluar të luajnë futboll në mosha të vogëla, nëpër ndjeshjet që zhvilloheshin në atë kohë, ndërmjet ekipeve të lagjjeve të qytetit dhe atyre midis klasave të shkollës, derisa arritën të luanin me ekipin e të rriturve, që përfaqësonin futbollin tepelenas në shkallë vendi.

Petriti, që në moshë të re, nga cilësitë që ai shpaloste nëpër ndeshjet që luante me bashkëmoshatarët e tij, është spikatur nga veteranët e futbollit tepelenas, si një futbollist që premtonte shumë në pozicionin e lojtarit në mbrojtje të portës. Ishte trajneri Sabaudin Shehu që e afroi me ekipin e të rriturve të “Minatorit”, kur Petriti ishte vetëm 16-vjeç dhe i besoi mbrotjen e portës së këtij ekipi. Nga një fotografi e ekipit“Minatori”, që luante në kampionatin e kategorisë së dytë, përgjatë viteve 1969-70-të, shikojmë të parin nga majta, trajnerin Sabaudin Shehu dhe në vazhdim futbollistët e tjerë si: Neshet Zhupa, Petrit Kocali (portier), Asllan Seferi, Muhamet Lola, Qirjako Fani, Mehdi Malka, Enver Ogreni, Sadik Nela, Gezim Hysesani dhe Abaz Dedgjoni. Portieri Petrit Kocali, duket shumë i ri në moshë dhe aq më shumë, për t’i besuar portën. Kjo tregon se Petriti, kishte fituar, jo vetëm një siguri në vetvete për ketë mbulim shumë të vështirë dhe me përgjegjësi, por me lojën e tij, padyshim që kishte fituar edhe atë të trajnerit, lojtarëve të ekipit dhe sportdashësve të flaktë të kohës që e ndiqnin ekipin në çdo ditë stërvitore dhe ndeshjet zyrtare.

Memaliaj: Ekipi i futbollit “Minatori”. Nga e majta trajneri Partizan Hila, Myzafer Shehu, Petrit Kocali, Reshat Sala, Flamur Hoxha, Sadik Nela, Ilir Seferi, Astrit Goxhaj, Çoti Lika. Vladimir Hoxha, Selam Kocali dhe Ferman Haska.

Më vonë, ekipi iu besua trajnerit Partizan Hila, i cili vazhdoi që t’ia besonte portën Petritit, deri në momentin kur, ky i fundit vendosi që të largohej nga futbolli. Duke vazhduar interesimin tim, në lidhje me karrierën e tij sportive, mësova se ka luajtur dy vjetë, me ekipin “5 Shtatori” të Skraparit, periudhë kjo që të lë të kuptosh se ka qënë në kohën përgjatë kryerjes së shërbimit ushtarak.

Lojën e tij të bukur, që e tregonin qartë edhe kapjet e topave shumë të vështirë, e kishte bërë atë të fitonte një admirim të madh, jo vetëm nga sportdashësit tepelenas, por edhe më gjerë. Këtë e shikojmë edhe tek shkrimi im: “Pagëzimet e futbollistëve memaliotë”, që është botuar para disa vitesh, tek gazeta “Tirana Observer”. Në këtë shkrim kam shkruajtur: “Përgjatë një bisede me ish portierin, Napolon Muçi, i cili e ka vlerësuar futbollistin Kocali, si një ndër portierët më të mirë që ka ekzistuar në atë kohë …. Ai pasi mbaroi së vlerësuari, me fjalët më të vyera portierin Kocali, nuk nguroi të përmendte edhe një çast mbresëlënës: “Këtu kam parasysh edhe komentin e komentatorit të mirënjohur Ismet Bellova, përgjatë ndeshjes “Minatori” me “Partizanin”, kur luante në Tiranë (nuk më kujtohet viti). I mahnitur nga paraqitja fantastike e portierit memaliot Petrit Kocali, ai e krahasoi atë, me të madhin Qemal Vogli. Në atë ndeshje mbrojtësit kanë qenë Reshat Salaj, Sadik Nelaj, Asllan Seferi dhe Flamur Hoxha. Ndërsa në mesëfushë, kapiteni Qirjako Fani.” Më tej në këtë shkrim, vazhdon edhe komenti im: “Në të vërtetë portierin Petrit Kocali, të gjithë e kanë cilëcuar si portier shumë të mirë dhe me shumë reflekse, shumë pozicional në pritjet që u bënte topave. Me shumë pjekuri, dinte si të maste kohën dhe lëvizjen e topit përgjatë aksioneve. Me intuitën e tij, e parashikonte topin që fluturonte në zonën e paramenduar dhe mundohej me kujdes duke u përgatitur për kapjen e tij. Ishte i saktë në lojën e tij.”

Veterani i futbollit Petrit Kocali, edhe pse kishte dorëzuar fanellën, nuk hoqi dorë nga futbolli, por shkonte shpesh nëpër stërvitjet e ekipit dhe merrej me trajnimin e portierëve të rinj. Përgjatë kohës që është marr me futboll, ka punuar si shofer i transportit të qymyrit, që e mbulonte ndërmarrja e “Parkut të Mallrave”, dhe e ushtroi këtë profesion, deri sa doli në pension. Ai krijoi familje, me memalioten Luljeta Merdani, ku erdhën në jetë edhe katër fëmijët e tyre si: Renato, Armando, Branjola dhe Anxhela. Nga fëmijët e tij, vetëm Renatua trashëgoi sportin e futbollit dhe aq më shumë, në rolin e portierit. Edhe Renua, siç i flasin të gjithë memaliotët, ka luajtur për disa vjet, me ekipin e të rinjëve dhe me ekipin e parë të futbollit “Memaliaj”, që u quajt pas 1990-ës, nga FSHF-ja. Për formën e tij të lartë sportive si portier, ai kërkohet për të lujatur edhe nga klube të tjera sportive, si ajo e Ballshit dhe të Lezhës ku luan për disa vjetë. Renua mbahet mend dhe ka hyrë në historin e futbollit të qytetit tonë, si portieri që ka mbrojtur portën e ekipit “Memaliaj”, që doli kampionë i Kategorisë së II-të dhe luajti gjithashtu në pëfaqësimin e saj në Kategorinë e I-rë.

Memaliaj: Nga e majta, Vladimir B. Hoxha, Flamur Hoxha dhe Selam Kocali.

I vëllai i tij më i vogël, Selam Kocali, e ka filluar futbollin me të rinjtë e ekipit të “Minatorit”, me trajner, të mirënjohurin Prof. Karafil Asllan Caushi. Ai ka luajtur si sulmues, për tre vjet rresh (1975-77), vite këto, kur ky ekip të rinjësh memaliotë, ka debutuar me dinjitet për tre vjet rresh duke mbajtur edhe renditje të lartë në tabelën e klasifikimit. Për lojën e tij të përkryer teknike, të një sulmuesi të nivelit profesionist, thirret nga trajneri i ekipit të të rriturve, Prof. Partizan Hila, dhe më pas edhe nga trajnerët e tjerë Prof. Qirjako Fani dhe Prof. Vladimir Bushi. Jepë kontributin e tij, për afro dy dekada, kur tashmë kishte fituar zemrat e pothuajsëve të gjithë sportdashësve memaliotë, bën dorrëzimin e fanellës së futbollit, e cila mbante numrin 7-të dhe kthehet sërishtë në vitet 2013-2015, për të dhënë kontrubutin e tij, si shef klubi sportiv të këtij qyteti. Përgjatë kohës së sistemit të kaluar, ka punuar në një nga repartet e jashtme të minierës së Memaliajt, ndërsa pas ndërrimit të sisteme, ushtronte një bisnes të vogël privat. Në fillimin e viteve 1980-të, krijoi familje me tepelenasen Mineko Merkohasani, e cila spikaste në atë kohë, për lojën e saj, jo vetëm si basketbolliste, por edhe voljebolliste. Familjes së tyre u erdhën në jetë edhe dy fëmijët; djali i tyre Klevis dhe vajza Brunilda. Nga këta të dy, vetëm djali i tyre, ndoqi rrugën e sportit, atë të futbollit. Klevis e filloi atë duke u stërvitur me pionierër, por nuk e vazhdoi më tej.

Nga e majta, Petrit Kocali, Foto Strakosha dhe Selam Kocali.

Në këtë shkrim dedikuar dy vëllezërve Petrit dhe Selam Kocali, dua të përmend se vetëm i vëllai i tyre më i vogël, Dritani ka luajtur futboll me klasat sportive, ndërsa Agroni shquhej vetëm në ato të fushave të zeza.

Këdo që të pyesësh nga memaliotët, për kontributin e vëllezërve Kocali që kanë dhënë në fushën e futbollit, shprehen me respekt dhe mirënjohje të madhe, jo vetëm si ish futbollistë profesionistë, por edhe prindër të shkëlqyer.

Portierin Petrit Kocali, nga sportdashësit krahasohej edhe me portier të tjerë të huaj të mirënjohur. Në disa komente që janë bërë tek fotografia e tij që kam publikuar në Facebook tek albumi historik i sporteve që janë luajtur në Memaliaj, midis të shumtë prej tyre lexoj si më poshtë:

Albert Zhupa: “Petrit Kocali, një portier i shkëlqyer dhe nuk kishte asnjë ndryshim me portierin Shmaikel. Për lojen e tij të shpejtë sulmuese dhe zotrimin e topit, cilësi këto që krijonin rrezikshmëri përgjatë gjithë lojës në portën e kundërshtarëve, të cilat në disa raste finalizoheshin edhe me gola, kujtoj me nostalgji edhe lojën e vëllait të tij, Selam Kocalin, i cili ka luajtur më shumë si sulmues krahësh.”

Sokol Velaj:Portierin Petrit Kocali, e krahasoj një me klasin e Dino Zoff-it. Respekt dhe mirënjohje për vëllezërit Kocali!”.

Agim Lika: “Petriti, ka hyrë në historinë futbollit tonë, si një portier i talentuar dhe bashkëqytetar i mrekullueshëm!”

Shyqyri Malka: “Unë i mbaj mend sadopak portierët e parë si Halit Minxorin, më pas Zane Nika dhe pastaj portën e mbërtheu një 16 vjeçar dhe nuk e lëshoi deri në fund të karrierës së tij. Ky ishte Petrit Kocali, të cilin e kujtojë gjithmonë si komshiun tim të vjetër dhe shokun e vëllait tim, Mehdiut. Edhe i vëllai i tij, Selami, mbahet mend nga të gjithë, si një futbollist i kalibrit profesionist dhe njeri i shkëlqyer. Habitem, si nuk i vlerëson Bashkia e qytetit këta veteranë të futbollit, qoftë edhe me një organizim brezash. Ata e duan Memaliajn, pasi kanë dhënë kontributin e tyre dhe nuk morën asgjë, si e tillë edhe ne duhet t’i vlerësojmë!”

Portieri Renato Kocali, Bace Tuku, sportdashës, dhe Mariglen Hysesani

Perlat Arapi:Shpalosja e vlerave të një portieri profesionist, që na dhuronte gjithmonë larmi emocionesh të bukura, të cilat na shoqërojnë edhe sot, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada! Të njëjtat vlerësime, ndaj edhe për të vëllanë e tij, Selamin, i cili të mrekullonte me lojën e tij prej një futbollisti profesionist

Vladimir S.Shehu: ”Petrit Kocali, shoku im i fëmijërisë dhe i sportit, më të cilin kam ndarë shumë emocione. Petriti, unë dhe Mehdin Malka, kemi qenë një treshe e përkryer, saqë vetëm gjumi na ndante!” Më vonë, edhe pse për arsye studimesh dhe pune, morëm drejtime të ndryshme, ende e ruajmë shoqërinë tonë.”

Tahir Kalemi: “Veterani i portës së ekipit të “Minatorit”. Njeri i thjeshtë, pasionant dhe i palodhur që ka lënë gjurmë në kujtesën tonë.”

Marsel Seferi:Vëllezërit Kocali, bëjnë pjesë në plejadën e futbollistëve të përkryer; gjithashtu edhe njerëzve të shkëlqyer e të thjeshtë në shoqëri.”

Thanas Hoda: “Një ndër yjet e futbollit të Memaliajt, është edhe portieri Petrit Kocali, edhe i vëllai i tij Selami, kujtohet si një ndër sulmuesit më të rrezikshëm të ekipit tonë! Kur i shikojmë sot nëpër fotografitë e albumit historik, na duket sikur jetojmë ato çaste lumturie e kënaqësie, kur ata fluturonin në fushë me lojën e tyre e na dhuronin gëzim!

Shaban Qibini: “Të dy vëllezërit Kocali, janë qytetar shembullor dhe sportistë nga më të mirët! Respekt!”

Angji Zhupa:Respekte për vëllezërit futbollistë Kocali! Petrit Kocali, kujtohet gjithmonë si portieri më të talentuar të ekipit të futbollit “Minatori”.”

Marko Mema:Respekte jashtë mase për Petritin, yllin e ekipit të “Minatorit”, prindin dhe qytetarin e mrekullueshëm!”

Skënder Kuçi:Dy sportistë dhe bashkëqytetarë të mrekullueshëm, që rrallë e takojmë në jetë!”

Miri Spahiu:Petrit Kocali, një njeri me virtyte të shkëlqyera dhe një portier i talentuar, që kujtohet gjithmonë me respekt nga bashkëqytetarët e tij!”

Isak Vlashi:Petriti kujtohet gjithmonë si një portier i shkëlqyer dhe njeri ideal, po ashtu edhe Selami, për lojën e tij të shpejtë, teknike dhe të rrezikshme ndaj portës së kundërshtarit!”

Rako Laska: “Respekte dhe mirënjohje për kontributin e vëllezërve Kocali që kanë dhënë në futbollin tonë! Të dy vëllezërit janë të mrekullueshëm, gjithmonë të qeshur dhe familjarë shembullor!”

Albert Hoda: “Respekt të veçantë për familjen e madhe Kocali, të cilët janë edhe komshinjtë e mij për shumë dekada. Ashtu si prindërit e tyre të mrekullueshëm, nënë Zadia dhe xha Refiti, edhe fëmijët e tyre respektohen dhe nderohen për bashkëqytetarë të tillë! Të dy vëllezërit Kocali, si Petriti, që ka luajtur portier me ekipin e “Minatorit”, edhe i vëllai i tij Selami, që ka luajtur si sulmues po në këtë ekip, shquhen për kontributin e lartë të tyre që kanë dhënë në futbollin memaliot! Urojë, të gëzojnë familjarisht, gjithçka të mirë! Respekt!

Portieri Renato Kocali

Nëse do kisha mundësinë të kontaktoja me vëllezërit Kocali dhe të bisedoja me ata, padyshim që do mësoja dhe do ndaja më shumë detaje në këtë shkrim, që nga zanafilla e deri në momentin kur ata dorëzuan fanellat e tyre të futbollit me ekipin e “Minatorit”.

Ajo që më ngelet, është që t’iu shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë atyre bashkëqytetarëve, për kontributin e vëllezërve Kocali, që i kanë dhënë futbollit memaliot, i cili në ato vite, përfaqësonte në shkallë vendi edhe rrethin e Tepelenës.

Edmond Ismailati, New York City