Bota Misioni në Hënë/ Pas amerikanëve, edhe Kina shënon sukses të madh në...

Misioni në Hënë/ Pas amerikanëve, edhe Kina shënon sukses të madh në gjithësi

Anija kineze kozmike pa pilot “Chang’e 5” ka kaluar një prej pengesave më të vështira në rrugën e kthimit nga Hëna në Tokë. Në bagazh: mostra shkëmbinjsh të mbledhura për herë të parë në 44 vjet.

Shkencëtarët kinezë kanë arritur të kryejnë me sukses manovrën e parë të ankorimit të kontrolluar nga robotët e një anijeje kozmike në orbitën e Hënës. Moduli i ngjitjes së anijes kozmike “Chang’e 5” u bashkua me sukses në orbitë, siç raportohet nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua. Rreth dy kilogramë shkëmb nga Hëna që do të transportohen në Tokë u vendosën në mënyrë të sigurt në kapsulën e kthimit.

Manovrimi në një distancë prej 380.000 kilometrash u konsiderua si një nga hapat më të vështirë në fluturimin drejt kthimit në tokë. Kina synon të mbledhë përvoja të reja në udhëtimet në Hënë, me qëllim që në të ardhmen të dërgojë edhe njerëz atje

Në hapin tjetër, kapsula e kthimit do të ndahet dhe në momentin e përshtatshëm do të niset për kthim në Tokë, raporton Xinhua. Kthimi në tokë pritet diku nga mesi i dhjetorit, diku në Mongoli.

Misioni kinez në Hënë vjen 51 vjet pas uljes së parë në Hënë të amerikanëve, më 21 korrik 1969, kur Neil Armstrong dhe Edwin “Buzz” Aldrin shkuan në Hënë, si të parët që kanë shkelur atje. SHBA ka dërguar në Hënë gjashtë herë astronautët e vet. Me “Apollo 17” në dhjetor 1972, agjencia amerikane e hapësirës NASA, ka ndërprerë aterimin e njerëzve në hënë.

Kjo është hera e parë në 44 vitet e fundit që mblidhen mostrat shkëmbore nga Hëna, më qëllim që të sillen në tokë për ekzaminime. Hera e fundit që sonda robotike Sovjetike “Luna 24” mori mostra dheu nga hëna ishte në vitin 1976. Nëse kthimi rezulton me sukses, kinezët do të jenë kombi i tretë, pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, që ka pasur sukses në një projekt të tillë.

Studiuesit shpresojnë se me hulumtimin e mostrave nga Hëna do të mësojnë më shumë për aktivitetet vullkanike në Hënë. Misioni amerikan Apollo ka sjellë në tokë rreth 380 kilogram dhe nga Hëna, ndërsa Bashkimi Sovjetik ka mbledhur në misionet e veta rreth 300 gram.

“Chang’e 5” është nisur për në Hënë me 23 nëntor nga stacioni hapësinor në Wenchang në ishullin jugor kinez Hainan. Më 1 dhjetor ka mbërritur në një zonë vullkanike të quajtur sipas astronomit gjerman Karl Rümker (1788-1862), e cila nuk është hulumtuar ende. Kjo zonë shtrihet në “oqeanin e stuhive” në pjesën e sipërme të Hënës, në të majtë të anës së Hënës me pamjen nga Toka.