Bota Mister në Itali, gjendet i vdekur në shinat e trenit i besuari...

Mister në Itali, gjendet i vdekur në shinat e trenit i besuari i Totò Riina-s

Autoritetet në Itali kanë nisur hetimet për të zbuluar të vërtetën rreth vdekjes së 80-vjeçarit, Salvatore Di Gangi, i konsideruar si një nga besnikët e kryemafiozit Totò Riina.

Trupi i tij u gjet mes dy binarëve të tunelit hekurudhor midis stacioneve Genova Principe dhe Genova Brignole. Nuk përjashtohet fakti që burri ka qenë duke ecur brenda tunelit në gjendje konfuze dhe është goditur nga një tren.

Aktualisht, hetimet për vdekjen e Di Gangit, janë duke u zhvilluar nga prokuroria e Genovas. Por policia përjashton se mund të ketë qenë një vrasje dhe është e prirur të mendojë se ka qenë një aksident.

Burri, i cili ndodhej në paraburgim në Asti për pjesëmarrje në organizatë mafioze, ishte liruar nga burgu për arsye shëndetësore dhe ishte në tranzit në Xhenova.

Ai dyshohet të ketë zbritur nga një tren në kryeqendrën e Ligurias, dhe më pas ka ecur përgjatë shinave ku u gjet. Ai kishte një biletë treni në xhep për një qytet të vogël në jug.

Emri i Di Gangit, një bos mafioz historik  u rishfaq në tetor në hetimin e resortit Torre Macauda, ​​një hotel luksoz në Sciacca, protagonist i disa hetimeve mafioze dhe që besohet se është në pronësi të kumbarit korleonez, Toto Riina.

Sipas prokurorëve të Palermos, Di Gangi mund të ketë qenë një nga pronarët e vërtetë të strukturës dhe për këtë, së fundmi, prokurori kishte kryer një kontroll në qelinë e tij.