Bota Misteri 13-vjeçar, policia britanike identifikon një të dyshuar për zhdukjen e Maddie

Misteri 13-vjeçar, policia britanike identifikon një të dyshuar për zhdukjen e Maddie

Policia britanike ka deklaruar se ka identifikuar një shtetas gjerman si të dyshuar në zhdukjen e vogëlushes Madeleine McCann. Vajza britanike humbi 13 vjet më parë në moshën 3-vjeçare teksa ndodhej me prindërit me pushime në Portugali.

Autoritetet e kanë cilësuar identifikimin e të dyshuarit si një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe po kërkojnë informacione për dy automjete që lidhen me të.

“Ky është qëllimi i apelit tonë, të zbulojmë se çfarë mjeti përdori. Ajo që dimë me siguri është se disa herë ai përdori një furgon për të jetuar. Dhe gjatë javës që i parapriu zhdukjes, ai ishte atje, që do të thotë se ka lëvizur në zonë duke përdorur furgonin si bazë”, ka deklaruar kryeinspektor Mark Cranwell.

Policia metropolitane nuk e ka publikuar emrin e të dyshuarit, por ka deklaruar se ai është 43 vjeç dhe ndodhej pranë resortit turistik Praia da Luz, në Algarve, ditën kur Madeleine McCann u zhduk, më 3 maj të 2007-s.

Fillimisht dyshimet e hetuesve ranë mbi prindërit e saj, të cilët i kishin dhënë të miturës një ilaç gjumi për ta pushuar së qari.

Hetimi për zhdukjen e saj është një nga më të gjerët dhe më të kushtueshmit e viteve të fundit. Megjithë fondet e mëdha dhe numrin e madh të detektivëve që punuan për çështjen me vite, vajza ende nuk është gjetur, as nuk është e qartë se çfarë ndodhi saktësisht atë ditë në vendpushim.