Aktualitet Misteri i kapitenit të zhdukur dhe jahtit në Shëngjinin, ja pistat e...

Misteri i kapitenit të zhdukur dhe jahtit në Shëngjinin, ja pistat e dyshimit

Misteri i jahtit të zbrazët në portin e Shëngjinit dhe zhdukja e kapitenit të tij po përpiqet të zgjidhet përmes disa pistave të hetimit nga autoritetet shqiptare.

Jahti luksoz përmbante vetëm disa dokumente që çonin te pronari i tij, por edhe kapiteni i zhdukur, shtetasi turk Sevgin Yavuz.

Në hetime është përfshirë edhe Mali i Zi, i cili ka përcaktuar gjithë trajektoren e ndjekur nga Sevgin Yavuz, ndërsa mbetet mister se si nuk u diktua nga radarët e portit të Shëngjinit. Policia kërkoi ndihmën e autoriteteve malazeze për të mësuar itinerarin e përshkruar nga jahti i nisur nga porti i Tivarit.

Yavuz ishte regjistruar si i vetëm në bordin e mjetit dhe kishte lundruar në drejtim të ujërave neutrale me destinacion Korfuzin. Jahti nuk u diktua nga radarët e portit të Shëngjinit.

Nga ana tjetër, Nedim Akyuz, pronari i jahtit, ka ardhur në Shqipëri dhe është shprehur se nuk ka dijeni për fatin e kapitenit dhe as nuk di detaje për ditën kur është zhdukur Yavuz.

Zhdukja e kapitenit turk po hetohet në disa pista, por ajo kryesorja është përfshirja e tij në trafikun ndërkombëtar të substancave narkotike.