Kulturë Misteri i Kishës në Kepin e Rodonit

Misteri i Kishës në Kepin e Rodonit

Nga Lorina Mixha

Çdo të shtunë në orën 18:00 fiks prifti nis predikimin në tokën më të shenjtë shqiptare.Jehona e fjalëve të fratit françeskan që drejton meshën,  sipas besimtarëve dëgjohet në mënyrë mistike, ende të pashpjegueshme edhe në dy vende të tjera, në Padova dhe në Laç…

Jemi në Kishën e Shna Ndout, në Kepin e Rodonit, kisha më e fortë sipas besimtarëve, aty ku ndodhin mrekullitë. Është ndërtuar në një vend të shenjtë. Pelegrinazhi nga besimtarët është i njohur për çdo datë 13 qershor.

Ende e pashpjegueshme edhe sot mbetet lidhja me Kishën e Laçit dhe qytetin e Padovës. Askush nuk di t’i japë shpjegim konkretisht se çfarë magjie fshihet në vijë detare apo në vijë ajrore komunikimi hyjnor që ka trinomi: Kep Rodoni, Laç dhe Padova. Besimtarët bëjnë një lloj lidhjeje me vdekjen e të shenjtit, data 13, atëherë kur në Laç dhe në Kishën e Shën Ndout është dita magjike dhe vendi ku u varros që ndodhet në Basilikën e Padovas. Në të tria kishat e qyteteve të ndryshme data 13 është koha ku gjithkush lutet për brengat e shpirtit dhe bëhen mrekulli.

Lidhja në vijë ajrore mes tre kishave që “luten në të njëjtën datë”

Ende mistike mbetet edhe sot gjetja e rrënojave të Manastirit të Shën Klarës. Arkeologët po studiojnë mundësinë që manastiri të ndodhet pikërisht pranë Kishës së Shna Ndout.

Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit, fortesave në ujë, ndodheshin edhe katër manastire katolike, të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qenë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout, si dhe rrënojat e kishës së Shën Pjetrit, muret e së cilës janë të zhytura në ujërat e Adriatikut.

Kisha e Shën Ndout sot njihet nga autoktonët, banorët e Ishmit si Kisha e Zojës, Shën Mërisë apo Kisha e Prenës.

Kisha

Kisha e Shën Ndout ngrihet në një qafë të ulët mes dy kodrave pranë bregut të detit. Pranë kishës dikur ngrihej një manastir. Nga dokumentet historike haset përmendja e Manastirit të Shën Mërisë, por edhe Manastiri i Shna Ndout. Studiuesit mendojnë se Kisha e Shna Ndout duhet identifikuar me manastirin e Shën Mërisë. Kisha rezulton të ketë qenë ndër kuvendet më të hershme françeskane që nga viti 1599.

Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë udhërrëfyes i shqiptarëve në udhën drejt Krishtit.

At Zef Pllumi ka qenë ndër të parët që ka udhëtuar drejt kishës së Zojës, siç i thonë banorët, për t’u kujdesur që kisha të rimerrte shkëlqimin apo për të shpërndarë fjalën e mirë. Thonë se Shën Ndoun, frati françeskan, e kishte shumë për zemër, vinte vazhdimisht nga Shkodra në Kep.

Gazeta “Si” udhëtoi këtë javë në Kepin e Rodonit për të parë se çfarë ndodh sot me kishën më të vjetër.

Takuam Altinin, përgjegjësin për mirëmbajtjen dhe kujdestarin për punët në këtë kishë. Punon prej më shumë se 20 vjetësh me priftërinjtë françeskanë, të cilët janë të dërguar pranë Shën Ndout për të kryer detyrën si klerikë, për të frymëzuar, por edhe për t’u kujdesur për komunitetin dhe vizitorët e kësaj zone.

Altini na thotë se çdo të shtunë, frati me origjinë italiane, Serxho, kryen predikimin fiks në orën 18:00.

“Kisha është e vjetër shumë, është më e fortë se Kisha e Laçit. Këtu gjithçka është prishur në komunizëm, dhe rindërtuar pas viteve 1990.

Unë jam banor i zonës, punoj këtu prej shumë kohësh, por mbaj mend që dhe kur besimi nuk lejohej, njerëzit vinin dhe luteshim në rrënojat e saj”, rrëfen banori autokton. Ai tregon se banorët nuk harrojnë kurrë At Zef Pllumin, pasi vizitat e tij në Kishën e Zojës kanë lënë mbresa të mëdha.

Puna e klerikëve që nga ajo kohë ka qenë e palodhur, nisur nga përgjegjësitë për besimin e deri te kujdesi për pastrimin, sigurinë dhe bashkëpunimin për vendësit dhe vizitorë.

Shna Ndou është një ndër kishat më të dëgjuara të zonës të periudhës mesjetare.

Për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në Shekullin XV, indirekt ajo quhet edhe Kisha e Skënderbeut. Monumenti sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romantiko-gotike e shekullit XIII.

Kisha duket si një vend idilik. Gjendet në mes të gjelbërimit dhe përballë detit, por nuk është vetëm një ndërtesë që të sjell ndërmend pikturat e përrallave, është një objekt i gjallë i dëshmisë historike, veprave hyjnore ku qytetarë luten e gjejnë paqe, por edhe tokë e legjendave me shpata dhe shqiponja.

Pas rindërtimit të saj, vitet e fundit mund të shihet ende qartë një kalorës mbi kalë dhe një shqiponjë dykrenore, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve ka gjurmë të tjera afresku.

Arkitektura

Kisha paraqet një vëllim prej paralelepipedi me planimetri drejtkëndëshe dhe përbëhet nga narteksti, naosi dhe ambienti i altarit. Narteksti është kundrejt në plan me brinjë më të gjatë, atë veri-jug.

Dy hapësira të mbuluara me hark të mprehtë janë anët veriore e jugore. Ndoshta, narteksti ka qenë pjesë e strukturave të manastirit. Lidhja mes nartekstit dhe naosit fillimisht ka qenë e realizuar me një hyrje të gjerë, më vonë të ngushtuar. Një hark i mprehtë ndan naosin nga altari. Naosi ka qenë i mbuluar me çati druri, ndërsa altari me qemer. Në anën e jashtme, Kisha karakterizohet nga harqet e mprehta mbi pilastra që kalojnë përgjatë mureve veriore e jugore.

Ndoshta ky ndërtim i takon shek XIV. Monumenti i takon arkitekturës romantiko-gotike.

Fortesa në ujë

Do të ishte Kepi i Rodonit, vendi që do të zgjidhej për të ndërtuar kalanë, e cila do të mbante të njëjtin emër. Ishin vitet 1451-1452.

Ndërsa, punimet plotësuese në të u bënë më 1463. Thonë se qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim në fakt.

Ndërkohë, kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për t’u larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim, më 22 janar 1462, në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis ambasadorit të Skënderbeut, Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462, ku Raguza në rast lufte do t’i vinte në shërbim Skënderbeut, limanet dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.

Plazhi

Banorët vendës parapëlqejnë të tregojnë me krenari se ky ishte vendi që Skënderbeu zgjodhi për të pushuar me motrën e tij, Mamicën. Shumë pranë saj mund të gjesh edhe Kalanë e Skënderbeut, muret e së cilës u ndërtuan nga mjeshtrit venecianë, si pikë strategjike ushtarake, por edhe tregtare.

Shna Ndou mbushet plot dhe shpesh edhe për arsye të dasmave. Me një kërkesë zyrtare pranë qendrave të komunitetit fetar çdo çift, që kërkon të lidhë martesë brenda kësaj kishe gati magjike, mund të organizojë ceremoninë sipas dëshirave, por edhe rregullave.

Por nuk janë vetëm këta që kërkojnë të prekin nga hyjnorja e kësaj kishe.

Shna Ndou është një nga destinacionet më të kërkuara për foto, videoklipe dasmash, por edhe ceremoni të tjera familjare.

Bashkë në këto gëzime marrin pjesë edhe turistët që parkojnë kamperat pranë kishës. Ata gatuajnë dhe pushojnë në këto shtëpi të lëvizshme dhe bëjnë plazhin në Kep.

Banorët thonë se prifti i ri në detyrë në Kep, Serxho, i cili flet shkëlqyer gjuhën shqip, vitin e ardhshëm do të lejojë vetëm pushuesit familjarë dhe ka një plan të qartë për zhvillimin e zonës. Vizioni i tij është përgëzuar masivisht edhe gjatë viteve të punës që ai ka shërbyer në Tamarë.

Bunkerët

Para viteve 1990 në zonën e bekuar, në hapësirën ku shtrihet sot Kisha e Zojës ka qenë bazë ushtarake, ku nuk lejohej hyrja dhe turizmi, ndërsa në fshatin Shetaj ka qenë ndërtuar kampi ku internoheshin plëngprishësit në kohën e Partisë së Punës.

Rreth e qark kishës, në pyll, pranë plazhit, pranë daljes në det e kudo, poshtë toke fshihet një qytet i tërë. Bunkerët dhe rifuxhot, veprat e komunizmit për vetëmbrojtje janë ruajtur edhe sot e kësaj dite me fanatizëm në këtë zonë. Të gjitha tunelet nën tokë janë të pastra dhe funksionale pavarësisht se nuk janë të ndriçuara. Me një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, e gjithë kjo sipërfaqe nëntokësore i ka kaluar për administrim komunitetit fetar dhe sot është në pronësi të Shna Ndout. Vendimi edhe nga klerikët ka qenë për të mos prekur dhe shkatërruar tonelatat e betonit, me të cilat u ndërtuan asokohe këta bunkerë.