Extra Misteri i modeles italiane: 57 ditë me koronavirus

Misteri i modeles italiane: 57 ditë me koronavirus

Bianca Dobroiu, një modele 23-vjeçare, është “pacientja e parë” e kryeqytetit emilian, Bolonja. E shtruar në spital më 28 shkurt, ajo u la e lirë me 5 mars. Prej 57 ditësh rezulton me koronavirus. Spitali thotë se ky është rast unik

Nga Alessandro Fulloni, Corriere della Sera

Kjo është dekurajuese. Bianca Dobroiu, një modele 23-vjeçare me origjinë rumune, por që jeton në Bolonja, sërish pozitive në testin e koronavirusit, e përshkruan kështu gjendjen e saj në Facebook: “Pas 57 ditësh, ky është rezultati i ri. Epo, nuk është i ri sepse nuk ka ndryshuar kurrë: kjo për të paktën dy muaj tani. Por gjithmonë kam pritur se diçka do të ndryshonte”. Megjithatë nuk ndodhi. Kësaj here, Bianca shfaqet në ankth: “Nuk po ndryshon asgjë dhe kjo më tremb. E gjitha kjo nuk është normale dhe akoma më shumë pasi nga 10 marsi nuk kam simptoma”.

Shtrimi i parë: ishte e premte, 28 shkurt

Modelja rumune u intervistua nga ‘Resto del Carlino’ në mes të marsit. Ajo ishte “pacientja 1” e Bolonjës. E para e shtruar në qytetin e Dy Kullave. Ishte e premte, 28 shkurt. Parahistori, po të shohësh se çfarë ndodhi më vonë në Itali dhe në botë. “Të enjten gjatë natës, rreth orës 3, fillova të dridhem, gulçoja, kisha temperaturë 39.7. Dhashë alarmin te 118-ta, disa mjekë më pyetën për gjendjen time, vendet që kisha frekuentuar dhe kontaktet që kisha pasur. Ata më thanë të mos shqetësohesha dhe se do vinin të më merrnin për të më çuar në spital. Aty u testova pozitive për virusin”.

Pastaj trajtimet në Sant’Orsola, një strukturë e shkëlqyer bolonjeze. “Dy vizita në ditë, takipirinë dhe sipas nevojës antibiotik. Kjo për dy ditët e para. Pastaj gjithçka nisi të reduktohej sepse po përmirësohesha. Te stafi mjekësor, të cilët i falënderoj jashtëzakonisht shumë, kam parë shumë qetësi”. Bianca tha se mund ta ketë marrë virusin gjatë “aktiviteteve milaneze ku kishte marrë pjesë. Aty fola me shumë njerëz, infeksioni ishte i shpejtë”.

Por tamponët thonë se ajo është e sëmurë

Ndërsa nëna dhe dy miqtë e saj, megjithëse pa simptoma, u vendosën në karantinë, Bianca u lirua nga spitali më 5 mars. Ishte më mirë, të paktën kështu dukej. Por tamponët treguan, njëri pas tjetrit, se ajo ishte akoma e sëmurë, ende pozitive me koronavirus pas rreth dy muaj në karantinë. Përgjigjja e gjashtë testeve është e njëjtë: të gjitha pozitivë.

“Vetëm njëri, i katërti, një muaj më parë, fillimisht ishte i pasigurt”, shpjegon 23-vjeçarja, e regjistruar në universitet. “Por pastaj i pesti dhe i gjashti, të gjithë kanë dhënë të njëjtin rezultat”.

Në Facebook ajo sqaron: “Fizikisht është sikur të mos kisha asgjë, zero absolute. Sigurisht që kam dobësi ndonjëherë, por pas dy muajsh e mbyllur në dhomë mendoj se është diçka normale… Por nuk jam keq, nuk kam temperaturë, përkundrazi nuk po shërohem, vazhdoj të jem pozitive. Por a është normale e gjitha kjo? Me të vërtetë do të doja të kuptoja nëse është dikush i vetëdijshëm për ndonjë rast të ngjashëm, për dikë që mund të jepte një përgjigje pak të ndjerë. Më njoftoni”.

Nën monitorim të vazhdueshëm

Në Sant’Orsola shpjegojnë se Bianca “është nën monitorim të vazhdueshëm”.

“Me sa dimë, askush tjetër në Itali nuk ka mbetur pozitiv për kaq shumë kohë. Zakonisht pozitiviteti nuk i kalon katër javë”.

Në një farë mënyre, modelja është forcuar. “Mamaja ime është në shtëpi me mua, ne jemi në distancë të qartë sigurie: në çdo rast, ka rezultuar negative në tre testet e fundit dhe që nga 10 marsi nuk kam asnjë simptomë tjetër, kollë zero, pa temperaturë. Unë gjithashtu stërvitem dhe fizikisht jam mirë. Dhjetë ditët e para m’u duk se ishte një mashtrim, isha 100 përqind e shëndetshme, u vizitova në spital dhe jam ende pozitiv me Covid. Sot nuk di çfarë të mendoj më”.

Tani Bianca shpreson që të ketë një lajm të mirë nga testet serologjike. “Do të insistoj ta bëj, sepse nëse dal negativ, atëherë do më bëhen dy pyetje”, shpreson modelja. “Tani nuk e ndez televizorin sepse nuk dua të dëgjoj më asgjë. Shpresoj të shpëtoj nga ky mendim”.