Aktualitet Misteri i vdekjes së çiftit shqiptar në Nju Jork, Florind Belliu në...

Misteri i vdekjes së çiftit shqiptar në Nju Jork, Florind Belliu në prill u deklarua i zhdukur

Dy ditë pas vdekjes së çiftit shqiptar Florind dhe Ornela Shehi në Nju Jork, mediat amerikane kanë publikuar foto nga vendngjarja pak momente pas tragjedisë.

Gazeta “New York Post”, shkruan se kamerat në zonë kanë filmuar tragjedinë dhe fillimisht është parë duke rënë nga ballkoni i katit të gjashtë, 28-vjeçarja Shehi dhe më pas Belliu.

Pas tragjedisë, të afërmit e çifti u panë të ulur në trotuar duke qarë. Nëna e shkatërruar e Belliut u pa duke vajtuar nga dhimbjet. Ajo nuk pranoi të komentojë.

Trupat e pajetë të Florindit 35 vjeç dhe bashkëshortes u gjetën në sheshin para pallatit në Nju Jork, në Cruger Ave, ku kishin vetëm pak muaj që ishin vendosur. Policët thonë se rrethanat e vdekjes janë ende të paqarta.

Burimet shprehen se policët nuk kishin marrë kurrë raportime për dhunë në familje në lidhje me çiftin, i cili ishte vendosur në atë ndërtesë me dy fëmijët e tyre të vegjël rreth katër muaj më parë.

Ndërkohë që për Florindin ishte raportuar më përpara se ishte “i shqetësuar emocionalisht” dhe se në muajin prill ishte zhdukur, por më pas ishte gjetur nga policia thanë burimet që citon “New York Post”.

Sipas fqinjëve, Belliu shpesh shihej i zemëruar, ndërsa bashkëshortja e tij ishte një person i qetë.

“Babai i dy fëmijëve në Bronx, i cili vdiq tragjikisht së bashku me gruan e tij në ditën e lindjes, ishte një aktor dhe regjisor aspirues nga Shqipëria”, – shkruajnë mediat amerikane.

Belliu ishte i diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, Shqipëri dhe interpretoi në TV dhe në teatër përpara se të transferohej në SHBA. prej dy vitesh ai po punonte me dy libra dhe një skenar filmi që shpresonte ta paraqiste në Netflix.

Megjithatë autoritetet po hetojnë disa pista, si për vetëvrasje tw dyfishtë, apo edhe për vrasje.

Një burim policor tha për mediat amerikane se Belliu mund të ketë pasur probleme të shëndetit mendor, të cilat mund të kenë shkaktuar incidentin fatal për të dhe gruan e tij. Sipas fqinjëve, çifti ka debatuar para se të ndodhte ngjarja.