Aktualitet Misteri me çiftin që u vetëhelmua pas dasmës

Misteri me çiftin që u vetëhelmua pas dasmës

Të dielën e 8 Dhjetorit, Rezarta dhe Olsiani kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë.

Ajo 19 vjeç dhe ai 27 vjeç, dukeshin të lumtur në fotografitë e tyre të dasmës. Por, ajo që ndodhi 5 ditë më pas, e transformon tërësisht këtë pamje.

Në orët e para të ditës së sotme, Rezarta dhe Olsian Hajdari u gjetën të helmuar në banesën e tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Xhyrë të Librazhdit. Policia thotë se 19-vjeçarja u dërgua në spital pa shenja jete. Fatkeqësisht, e reja kishte humbur jetën.

Ndërsa bashkëshorti i saj Olsian Hajdari 27 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Dyshimet paraprake të grupit hetimor janë se çifti i sapomartuar është vetëhelmuar. Shkaqet dhe motivet janë të paqarta.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur që e detyruan çiftin e ri të ndërmerrte aktin ekstrem 5 ditë pas dasmës së tyre.

Megjithatë, policia nuk përjashton as pista të tjera. Deri në këtë moment, ngjarja mbetet në kuadrin e një misteri, teksa hetimet po vijojnë, raporton Tv Klan.