Bota Mitsotakis: Jemi në fillimin e fundit të pandemisë

Mitsotakis: Jemi në fillimin e fundit të pandemisë

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis përmes një deklarate iu referua murit të imunitetit që po ndërtohet kundër koronavirusit të ri me anë të procesit të vaksinimit duke theksuar se kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për të lënë pas këtë aventurë.

“Po filloj me lajmet e mira: vaksinat po provojnë të jenë të sigurta dhe efektive. Në vendin tonë, procesi po vazhdon në një mënyrë të organizuar dhe më të shpejtë se në shumicën e vendeve europiane. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë bashkëqytetarë tanë u besojnë atyre”, shtoi Mitsotakis.

“Sot ne do të tejkalojmë numrin simbolik të 1 000 000 dozave, që do të thotë se me kalimin e çdo jave, ne jemi duke ndërtuar murin e imunitetit që do të na lejojë të lëmë pas këtë kalvar. Në fakt, nga prilli, do të kemi shumë më tepër doza. Ndërsa moti përmirësohet, ai do të bëhet aleati ynë”, shtoi ai.

“Covid-19, si të gjitha viruset e frymëmarrjes, ka një sezonalitet të fortë. Tani, lajmi shqetësues është ai mbi mutacionet, dhe veçanërisht ai britanik, i cili tani është mbizotërues në vendin tonë, i cili është shumë ngjitës. Kjo është arsyeja pse, kohët e fundit, ne po dëshmojmë një rritje të rasteve dhe në sistemin shëndetësor kombëtar. Në Atikë, ku kemi problemin më të madh kemi marrë masa shtrënguese dhe kjo e bën paraprakisht situatën të kontrollueshme, me gjithë vështirësitë”, theksoi kryeministri grek.

”Ne të gjithë duam që sektori i shitjes me pakicë dhe shkollat të rihapen. Por, kjo do të varet nga sa të qëndrueshëm do të jemi. Veshja e maskës dhe shmangia e kontaktit dhe lëvizjes mbeten armët tona, derisa mburoja e vaksinave të mbulojë të gjithë vendin. Ne duhet ta ndiejmë këtë thellë brenda nesh dhe t’i shërbejmë”, theksoi ai.

Ndërkaq, rastet e infektimeve me koronavirus në Evropë u rritën 9% gjatë kësaj jave, duke i dhënë fund një periudhe përmirësimi që nga fundi i janarit. Duke njoftuar keqësimin e situatës, shefi për Evropën pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se vendet evropiane duhet të rikthehen tek praktikat bazë.

Dr. Hans Kluge tha se në rajon ishin regjistruar mbi 1 milionë raste të reja vetëm gjatë javës së fundit. Shtimi i ritmeve të infektimit, sipas specialistit, është më i dukshëm në Evropën Qendrore e Lindore, por rritje ka pasur edhe në pjesën perëndimore të kontinentit.

Më shumë se gjysma e rajonit po përjeton shtim të ritmeve të përhapjes së sëmundjes, tha ai.

“Më shumë se një vit pas shfaqjes së pandemisë, sistemet tona shëndetësore nuk duhet të ishin në këtë gjendje,” tha zoti Kluge.

Situata kërkon një vëmendje më të madhe ndaj protokolleve bazë, shtoi zyrtari, duke nënvizuar rëndësinë e masave për të parandaluar shfaqjen e varianteve të reja, shtimin e testimeve, izolimin e të infektuarve dhe përpjekje për të përshpejtuar vaksinimet.