Bota Mitsotakis: Kriza e lirës turke mund të vërë në rrezik stabilitetin e...

Mitsotakis: Kriza e lirës turke mund të vërë në rrezik stabilitetin e rajonit

Greqia ia ka frikën përhapjes së krizës së monedhës turke. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt” është shprehur se kriza valutore e Turqisë përbën një rrezik për stabilitetin e gjithë rajonit. Mitsotakis i kërkoi presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan të shmangë politikat që minojnë paqen midis fqinjëve të Egjeut.

“Fakti që Turqia po përballet me një krizë financiare mund të destabilizojë rajonin dhe më gjerë”, citohet Mitsotakis nga Ekathimerini.

Mitsotakis u shfaq kritik në raport me Turqinë për tensionet midis dy vendeve, në lidhje me çështjen e detit. Megjithatë, bëri thirrje për bashkëpunim.

“Ne mbështetemi te arsyeja kur kemi të bëjmë me njëri-tjetrin. Nuk jemi ne ata që ëndërrojmë për madhështinë e humbur. Le të fillojmë të shikojmë të ardhmen dhe jo të shkuarën”, tha ai.

Mitsotakis kërkoi mbështetje më të madhe nga Gjermania në lidhje me problemet e Athinës me Turqinë.