Opinione Mjaft me alibira sepse keni shanse për të hyrë në histori!

Mjaft me alibira sepse keni shanse për të hyrë në histori!

Nga Artan Fuga /Në sa dëgjesa publike keni marrë pjesë?

Keni zyra në zonat tuaja elektorale ku cdo javë të jepni takime të rregullta me elektoratin dhe qytetarin?

Keni marrë pjesë në mbledhje këshillash bashkiake?

Sa dilni para mediave rregullisht?

Nuk di një ligj të ketë si projekt emrin e ndonjerit nga ju personalisht?

Sa jeni angazhuar që Kuvendi i Shqipërisë dhe grupi juaj parlamentar të hapet drejt dëgjesave qytetare?

Madje as në protestën e organizuar për zgjedhje të lira nuk shohim prej jush të vijnë dhe të shprehen para kombit për propozimet dhe projektin historik që po shpalos aty kryetari juaj.

Jeni ju për ta mbështetur atë me argumentat tuaja, me përvojën tuaj, me forcën tuaj bindëse, me logjikën tuaj, apo me heshtjen tuaj tregoni se më mirë ju intereson një post dhe një kolltuk opozitari në Kuvend sesa një dalje jashtë kuvendit, edhe pse qytetari mund të shohi shpresë për një sistem tjetër përfaqësimi demokratik?

Keni ju miq e kolegë parlamentarë të huaj me të cilët shkëmbeni përvojat tuaja?

Vazhdoni ju aktivitetin pjesërisht dhe aktiv në profesionet tuaja, apo i keni braktisur tërësisht profesionet tuaja duke u mbyllur në kullën e Kuvendit. Keni marrë pjesë ju në aktivitete mirëbërëse për të sëmurët, të varfërit, e zonave tuaja?

Apo banoni të gjithë në Tiranë duke ikur nga zonat urbane ku jeni zgjedhur?

Keni vajtur ju në institucione publike për t’u njohur me degradimin e punës të administratës?

Keni bërë raporte publike, ekzaminime, studime për reformat e vërteta që i duhen këtij vendi?

Këto kërkojmë ne si qytetarë. Këto kërkonte besoj edhe gazetari ndaj të cilit ju u revoltuat besoj pa të drejtë.

E dëgjoni se çfarë thotë kryetari juaj për këtë republikë?

Nuk bën dallim dhe përgjegjësinë e kanë ata që përbëjnë shumicën, por edhe pakica për aq sa i takon, edhe ne si qytetarë, apo intelektualë.

Por, ju veçanërisht. Sepse keni bërë një betim solemn. Mos i ikni atij!

Ne kemi nevojë si deputetë t’ju shohim në jetën politike qytetare akjtive se përndryshe nuk na mbetet veçse t’ju shohim në kronikat rozë të mediave servile që ju tregojnë me palltot, makinat, fundet, këmishat, kollaret, rrobat e banjos të shtrenjta, secili, sa rroga vjetore e shumë shqiptarëve, dhe ju që nuk bêni zë për t’i thënë ndal vetëkënaqësisë kur populli vuan, për t’i thënë ndal bjerrjes të imazhit të deputetit.

Pjesë nga “Nga letra miqve deputetë demokratë”