Shëndet Mjekët e shëruar: Covid-19 nuk është shaka, zbatoni masat e pandemisë

Mjekët e shëruar: Covid-19 nuk është shaka, zbatoni masat e pandemisë

Deri në gjetjen e një vaksine apo ilaçi kurues, koronavirusi do të jetë me ne.  Ai vijon qarkullimin duke rritur të infektuarit.  5 raste të reja i janë shtuar listës së personave pozitivë me Covid-19 në Shqipëri duke e çuar numrin e të prekurve në 969.

Tre përfaqësues të Shëndetësisë tashmë të shëruar nga koronavirusi tregojnë se ai ekziston dhe nuk është shaka. Çdo ditë preken persona të rinj.

Me rihapjen dhe mosbatimin e masave si nga politika ashtu dhe qytetarët, kreu i Urgjencës Kombëtare bën thirrje për reflektim. Gjatë një interviste për A2. Skënder Bratajt thekson se jemi në pandemi dhe të rrezikuar nga shpërthime të reja.

“Në këtë periudhë dy mujore, sidomos në muajin e parë a pati ndonjë personalitet të njohur në Shqipëri apo familjarë të tyre të infektuar? Shëndetësia ka vetëm ngjyrën e bardhë. Iu lutemi respektoni rregullat, distancimin social, përdorimin e maskës në ambientet e mbyllura. Të gjitha janë masa elementare”, tha Brataj.

Edhe pse në pension, Dhimitër Kraja, ish-shefi i shërbimit infektiv, pasi u shëruar nga Covid-19 u kthye sërish në pavion. Është në ndihmë të kolegëve për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, por pas rihapjes edhe ai ka një lutje për qytetarët.

“Turma njerëzish rrinë pa maska. Rrinë pranë njëri-tjetrit më shumë seç duhet. Nuk respektohet distancimi social që është cilësuar si term i veçantë i kësaj epidemie. Kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm derisa të arrihet në shuarjen e kësaj epidemie”, u shpreh mjeku Kraja.

Mjekët deklaruan se Covid-19 këtë periudhë e ka ulur agresivitetin, por jo përhapjen. Parashikohet të jetë më aktiv në vjeshtë duke qarkulluar bashkë me virozat e stinës.