Aktualitet Mjekja e familjes tregon dy shenjat kryesore të COVID: Mos u trajtoni...

Mjekja e familjes tregon dy shenjat kryesore të COVID: Mos u trajtoni në shtëpi

Ornela Çela, mjeke e familjes, thotë se personat që konstatojnë se janë infektuar me COVID-19 nuk duhet të nisin menjëherë trajtimin me antibiotikë. Ajo thotë se, mjekët e familjes ofrojnë trajtim zëvendësues dhe mbështetës në farësi të formës që pacienti po kalon.

Nga ana tjetër znj. Çela thotë se konstaton se shumë persona kanë nisur që të kujdesen me vitamina C dhe D për të mos u prekur nga COVID-19, por kjo gjë nuk cilësohet shumë efektive.

“Kur vijnë thonë që kemi një muaj që konsumojmë vitamina C dhe D. Kur pacienti ka mungesë të vitaminës D, kalon një formë më të rëndë të COVID-19. Unë mendoj që në momentin që pacient nuk ka një ulçer stomaku, në doza të vogla nuk ka ndonjë problem nëse i merr”, tha mjekja në Euronews Albania.

Ornela Çela

Sipas znj. Çela vihet re një fenomen ku shumë persona edhe pse shfaqin simptoma nuk paraqiten te mjeku dhe e bëjnë këtë vetëm kur situata rëndohet.

“Pacientët janë të rënduar nga ana psikologjike. E lënë veten deri në një pikë që bëhen për trajtim spitalor vetëm për të mos pranuar se janë të infektuar. Kanë frikë dhe ankth sepse covid-19 është provuar që jep pasoja psikologjike, ankth dhe pagjumësi”, tha ajo.

Lidhur me trajtimin me oksigjen që shumë persona e kryejnë në kushtet e shtëpisë nga frika që kanë të shtrohen në spital, mjekja tha se ky është një mjekim i gabuar.

“Nuk duhet të trajtohen me oksigjen në shtëpi pasi nëse oksigjeni bie nën 93 është për shtrim në spital. Nuk të zgjidh punë vetëm oksigjeni, duhen kontrolluar dhe kushte të tjera”, përfundoi znj. Çela.

Sa i takon dy shenjave kryesore që një person i infektuar me COVID-19, mjekja veçoi temperaturën që zgjat më shumë se 7 ditë dhe e shoqëruar me kollë të thatë që mund të nisë brenda kësaj periudhe.