Aktualitet Mjeku durrsak i shëruar nga COVID-19: Mbaja doreza dhe maskë, por u...

Mjeku durrsak i shëruar nga COVID-19: Mbaja doreza dhe maskë, por u infektova

Beqir Gelaj, mjek infeksionist në Spitalin e Durrësit është një prej mjekëve të parë që është infektuar me coronavirus në vendin tonë.

Ai tregon se ka qenë mjek roje në momentin kur është paraqitur një paciente e prekur, e cila edhe ka infektuar.

“Isha me doreza dhe maskë, por ndodh në një moment të caktuar që të infektohesh. Për 4-5 ditë kam qenë në gjendje të lodhur”, tregon mjeku duke folur për Ilva Now në Euronews Albania.

Gelaj tha më tej se, nuk ka pasur simptoma përveç lodhjes dhe dhimbjes së kokës.

“Për 4-5 ditë kam qenë i lodhur. Nuk kam pasur temperaturë dhe simptoma të tjera. E kam kaluar në kushte shtëpie. Bashkëshortja rezultoi se nuk ishte prekur, rezultoi negativ”, u shpreh mjeku.

Tashmë testet e kryera kanë rezultuar negativ, por do të duhet të qëndrojë dhe për dy javë në shtëpi.

“Një këshillë për të gjithë, është që të qëndrojnë në shtëpi. Të respektojnë rregullat, të mbajnë higjienë dhe të ushqehen mirë”, deklaroi mjeku nga Durrësi.